“Babadimri me vitra, mashtrim elektoral”: Vazhdojnë reagimet e ashpra ndaj Kurtit pasi ndau nga 100 euro katër ditë para zgjedhjeve

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, katër ditë para zgjedhjeve, bëri të ditur se do të ndahen nga 100 euro për fëmijë e pensionistë.

Me zgjedhjet këtë ndarje e lidhi vetë Kurti, duke thënë se më 28 dhjetor votojmë, e më 29 dhjetor i marrin këto para.

“Me 28 dhjetor fitojmë bindshëm dhe festojmë, pastaj me 29 dhjetor gëzohen të gjithë fëmijët e pensionistët. Sepse me fitoren tonë, Viti i Ri vjen më herët. Sikurse çdo vit, edhe sivjet kemi vendosur të mbështesim fëmijët dhe pensionistët me shtesat e fundvitit prej 100 eurove. Mosvotimi i buxhetit nga opozita na e ka vështirësuar punën tejmase, mirëpo ne e kemi bërë të pamundurën që edhe këtë vit të sigurojmë mbështetjen e fundvitit, e cila do të procedohet para natës së Vitit të Ri. Urime festat e fundvitit, dhe t’i gëzoni bashkë me familjet tuaja!”, tha Kurti.

Si rezultat, reagimet e mëdha ndaj këtyre vendimeve, nuk po ndalen.

Agon Maliqi e ka quajtur Kurtin babadimër që rron politikisht duke dhënë gajret.

“Në kohë të mëhershme kur si shoqëri shiteshim se na interesonte demokracia, kësaj pune i thoshim blerje vote. Por sot në kohën e babadimrit që rron politikisht duke dhënë gajret, i themi solidaritet. Kurti me gjasë mendon se e ka gjetur se sa kushton një kosovar në aksham pazar. 100 euro, miq. Qat çmim ua ka vendosur në etiketë”, tha Maliqi.

Reagim të ashpër sot pati edhe njohësi i temave politike, Shenoll Muharremi.

“Korrupsioni nuk është vetëm kur vjedh paranë publike apo kur bën dallavere me tenderë. Nuk korruptohesh vetëm atëherë kur i fut paret në xhep sa je në pushtet. Kur ti abuzon me paranë publike dhe e përdor buxhetin e shtetit për me shpërnda “vitra” nga 100 euro pak ditë para zgjedhjeve, ti po bën korrupsion elektoral. Në të njëjtën kohë ti me keqmenaxhim të ekonomisë dhe energjisë e ke varfëruar qytetarin dhe familjen se fuqia blerëse e tij ka rënë dukshëm. Njëherë e shkatërron fuqinë blerëse të qytetartit, pastaj ja tregon 100 euro me ja ble votën. Sa e pamoralshme dhe e ulët, aq edhe korruptive është kjo!”, ka shkruar ai.

Kundërshtim të ashpër ndaj këtyre vendimeve shprehu edhe Dardan Sejdiu.

“Bankomati i Kurtit s’është “dhuratë!”Janë taksat tona që po na kthehen si karem e mashtrim elektoral.Nëse as kjo s’të bën përshtypje, problemi s’është buxheti. Është standardi i ulët që e kemi normalizu.”, ka shkruar ai.

Gazetari Berat Buzhala pas ndarjes nga 100 euro prej Albin Kurtit të Vetëvendosjes për pensionistët dhe fëmijët, tha se kjo i bën zgjedhjet e pandershme, kur një vendim i tillë merret në pikun e fushatës zgjedhore dhe tre ditë para zgjedhjeve.

Buzhala tha se perëndimi zgjedhjet i vlerëson a janë “të lira dhe të ndershme” ndërsa përdorimi i avantazhit të buxhetit të shtetit për nevoja zgjedhore, i bën ato “të pandershme”.

“Zgjedhjet vlerësohen nga organizatat e huaja, si OSBE-ja, a janë “të lira dhe të ndershme””. Ne teknikisht i kemi të lira, por jo të ndershme. Pra, këto janë zgjedhje të lira por të pandëershme, të pabarabarta. Qysh thojnë anglisht “free and fair elections”. E që thojnë kohëra të dëshpërume kërkojnë masa të dëshpërume. Ky çka ka bë. I ka caktu zgfjedhjet me 28, bashkë me Vjosën, njëanshëm. Tash edhe Glauku i ka ul pritjet, po thotë dojmë mi fitu 45%. Mirëpo. Dështimi, zvarritja, 12 mujore, po dojnë me thanë, populli na rriti neve, i uli këta”, tha Buzhala.

Juristi Ehat Miftaraj e ka quajtur “vendim korruptiv” dhe mënyrë “të përsosur për të vlerë vota” për çka e argumentoi se është vendim “pa bazë ligjore”.

“Qeverisje me duar te pastra nga Albin Kurti dhe LVV. 100 Euro per femije dhe pensionista. Menyre e persosur me ble vota. Nje ose dy vendime me nga nje faqe pa baze ligjore pa ndonje arsyetim te bazuar qe kushtojne mbi 100 milion Euro”, tha ai.

“Albin Kurti dhe LVV e kane jete a vdekje me mbet ne pushtet, me çdo kusht perfshire permes vendimeve korruptive si ne rastin konkret. Vuk Hamoviç dhe mafia energjetike pa pike dyshimi se jane shume shume te interesuar qe edhe pas 28 dhjetorit Kosova te qeveriset me duar te “pastra” qe ne kater vite shtese me pas qasje ne mbi 1 miliard Euro te buxhetit te Albin Kurtit”, përfundoi Miftaraj.

Ermal Sadiku i Lidhjes Demokratike të Kosovës gjitashtu ka reaguar duke konstatuar se Kurti buxhetin e shtetit e ka shndërruar në “bankomat për interesa të ngushta elektorale”.

“Vota nuk është mall. Vullneti nuk shitet e nuk blihet. Shteti nuk mundet me u shndërru në bankomat për interesa të ngushta elektorale. Nuk mundet i njëjti pushtet që ua rriti çmimet e produkteve esenciale, ua shtrenjtoi rrymën e i varfëroi, me u shfaqë katër ditë para zgjedhjeve si shpëtimtar me nga 100 euro për fëmijë e të moshuar”, tha Sadiku.

“Sigurisht që ata sot e çdo ditë kanë nevojë për çdo cent, por më shumë se kaq kanë nevojë për arsim e shëndetësi cilësore dhe për zhvillim të qëndrueshëm e trajtim të dinjitetshëm. Dhe krejt këto, kjo qeveri s’ka ditë me ofru për 5 vite. Në vend të tyre servoi bllokada e izolim. 28 dhjetori po vjen. Stagnuesit e bllokuesit duhet me marrë përgjigjen. Duhet me marrë JO-në e madhe për papërgjegjësinë e tyre me shtetin, për transaksionet elektorale me taksat tuaja”, përfundoi ai.