“Babadimer i mashtrimeve”; “po e rrënon shtetin”: “Opozita” e kritikon ashpër Kurtin për vendimet kontestueshme qeveritare

Subjektet politike “opozitare” kanë reaguar ashpër pasi qeveria në detyrë sot e ka miratuar Projektbuxhetin për vitin 2026, ka rritur pensionet dhe shtesat për fëmije.

PDK-ja, LDK-ja dhe AAK-ja i kanë kontestuar këto vendime, duke thënë se kjo qeveri nuk ka të drejtë të marrë vendime të tilla.

Përfaqësuesit e këtyre partive kanë bërë me dije se këto vendime po merren në prag të raundit të dytë të zgjedhjeve lokale dhe në prag të zgjedhjeve të reja nacionale.

Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, e ka cilësuar deputetin Kurti si “babadimër” me thes të mashtrimeve.

Në profilin e tij në “Facebook”, Krasniqi ka shkruar se ky është mashtrimi elektoral, i cili nuk kalon.

Thesi i mashtrimeve të një “babadimri” që kurrë s’erdhi për qytetarët e Kosovës, sado që premtoi çdo vit për pesë vjet, s’mundet me e rikthy besimin e humbur të qytetarëve e as nuk mund të arrijë qëllimin e blerjes së votës për balotazh dhe për zgjedhje parlamentare. Krejt ato që sot u thanë në mbledhjen e fundit të kësaj qeverie, e që s’u bënë pesë vjet me radhë, do të bëhen: më mirë, më shumë e më shpejt, por me qeverinë e ardhshme, pa Albin Kurtin e pa Vetëvendosjen. Mashtrimi elektoral nuk kalon. Uji i turbullt s’pihet dy herë!”, ka shkruar Krasniqi.

Deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami, ka thënë se grupi parlamentar i Vetëvendosjes ka uzurpuar zyrat e Qeverisë. Sipas saj, Prokuroria Speciale ka mundur ta ndalë këtë maskardë.

Në profilin e saj në “Facebook”, ajo ka shkruar se Kurti po e dërgon shtetin drejt rrënimit.

Grupi Parlamentar i Vetëvendosjes që ka uzurpuar zyrat e Qeverisë aprovoi sot buxhetin për vitin 2026. Ka mundësi që buxheti i vitit 2026 të shkojë në 8 miliardë e pagat e pensionet të rriten disa fish në kohën kur pritet vendimi për shpalljen e zgjedhjeve të jashtëzakonshme. Shtetin po e çojnë drejt rrënimit. Prokuroria Speciale ka mundur ta ndalë këtë maskaradë. Tash, duhet ta ndalim me votë. E, do ta ndalim me vote”, shkruan Bajrami.

Kurse, lideri i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka thënë se veprimet e sotme të qeverisë janë të vona dhe për marre.

Shumë vonë, shumë pak. Marre! Kjo rritje është dashur të ndodhë para shumë vitesh. Në takimin e parë të qeverisë sonë, pensioni bazik do të jetë 200 euro, ndërsa paga minimale do të jetë 600 euro. Shtesat për të gjithë fëmijët nga 0–16 vjeç do të kenë rritje të konsiderueshme. Nënat me dy fëmijë do të marrin 100 euro, ndërsa nënat me katër fëmijë do të marrin 300 euro në muaj”, ka shkruar Haradinaj në profilin e tij në “Facebook”.