Njëri që jeton për futbollin si ai, ka dëshirë të madhe për të luajtur. Edhe në miqësore si ajo që Manchester City do ta zhvillojë të shtunën në Palermo, e vetmja para se të rikthehet në Premier League. “Nuk shoh dot momentin”, rrëfen Phil Foden, që në moshën 25-vjeçare është një nga yjet e skuadrës së Guardiolës.
Këtë ia kujtojnë tifozët me duartrokitjet e zjarrta që i japin gjatë stërvitjes së hapur për publikun, e cila shënon nisjen zyrtare të sezonit 2025-2026. Ai përpiqet ta kujtojë sa herë që zbret në fushë, edhe pse sezonin e kaluar nuk ia doli shumë, pas një viti ku ishte shpallur lojtari më i mirë i Premier League. Do të përpiqet ta bëjë edhe të shtunën në Palermo:
“Po. Në Palermo do të jetë një ndeshje me cilësi të lartë. Na duhet të rikthejmë formën më të mirë duke luajtur ndaj një kundërshtari me nivel të mirë, për të qenë gati për sezonin e ri. Jam i lumtur, më pëlqen të luaj ndaj skuadrave të ndryshme, që nuk i kam përballur më parë”.
Sa rëndësi ka fakti që kjo është e vetmja miqësore për ju?
Duhet të marrim gjithçka na nevojitet nga ndeshja në Palermo; formën fizike, ritmin e lojës. Duhet ta marrim seriozisht, duhet të dalim prej saj me nivel të mirë. Nuk shoh dot momentin.
Çfarë raporti keni me futbollin italian?
Më pëlqente shumë Dybala kur luante për Juventusin, lojtar me shumë cilësi, e kam ndjekur shpesh. Futbollin italian e kam ndjekur pak, jo aq sa për të pasur një skuadër të preferuar.
Me një skuadër italiane, Interin, lidhet një nga momentet tuaja më të bukura me City, fitorja e Ligës së Kampionëve…
Kujtimi që kam nga ajo ndeshje është momenti kur Rodri shënoi, çasti i saktë kur topi hyri në rrjetë. Është pa dyshim momenti më i bukur që kam përjetuar ndonjëherë me fanellën e Manchester City.
Kevin De Bruyne, që është legjendë te City, ishte një nga blerjet më të rëndësishme për Serie A. Çfarë duhet të presin tifozët italianë nga ai?
Një lojtar i klasit botëror, që në fushë di të bëjë gjëra të pabesueshme, siç e kemi parë te City. Na ka ndihmuar të fitojmë shumë Premier League me asistet e tij fantastike. Kevin di të japë nga të gjitha. Është djalë i mirë brenda dhe jashtë fushe, lider në mënyrën si luan. Nuk është nga ata që ngre zërin, por kur skuadra është në vështirësi, e merr mbi supe dhe e rikthen në lojë. Mendoj se tifozët italianë do të argëtohen shumë me të.
Çfarë pritshmërish keni për sezonin e ardhshëm, në nivel personal?
Dua të jem thjesht vetja, t’i lë gjërat të më vijnë natyrshëm në fushë dhe të luaj me buzëqeshje në fytyrë.
Nuk ia dolët ta bënit sezonin e kaluar…
Shumë gjëra nuk funksionuan, jo për faj të një individi të vetëm. Si skuadër duhet të pranojmë se nuk arritëm atë që prisnim, se nuk ishim në nivelin tonë. Kjo ndikoi te të gjithë. Është një nga ato gjëra që duhet ta lëmë pas dhe të shohim drejt së ardhmes, drejt sezonit të ri dhe mënyrës si ta nisim sa më mirë.
Në çfarë niveli mendoni se jeni aktualisht?
Vështirë ta them tani, luajta mirë në Kupën e Botës për Klube, por kam nevojë për ndeshje që të tregoj nivelin në të cilin jam.
Në çfarë niveli e prisni City këtë sezon?
Në nivelin më të lartë. Kemi shtuar lojtarë të nivelit të lartë dhe do të kemi nevojë për ta. Tani kemi një skuadër të thellë, gjë që do na duhet në një sezon të gjatë, plot ndeshje, ku do jetë normale të kemi ndonjë dëmtim. Të kesh një grup të gjerë me shumë lojtarë të mirë vetëm mund të na ndihmojë dhe të na afrojë më shumë me trofetë.
Ndër të rinjtë është edhe Tijjani Reijnders, i ardhur nga Milani. Përshtypjet e para?
Më la përshtypje që në momentin e parë që e pashë në stërvitje. Është një lojtar dinamik, që mbulon të gjithë fushën, di të bëjë gjithçka dhe në Botërorin e Klubeve tregoi sa mirë di ta pasojë topin, duke dhënë shumë asistë. Më ka lënë vërtet përshtypje të shkëlqyera.
Jeni 25 vjeç, por ky është sezoni juaj i nëntë me ekipin e parë. A ndiheni si një veteran?
Jo, nuk do ta thoja këtë. Ka ende lojtarë që kanë më shumë eksperiencë se unë, duke nisur nga Bernardo dhe Gundogan. Unë ndihem thjesht si një nga pjesëtarët e skuadrës.
Shumë ju konsiderojnë si një superyll…
Nuk e mendoj. Mendoj vetëm të jem personi që dua të jem, të luaj në nivelin më të lartë që mundem. Dhe jam i lumtur kur njerëzit e vlerësojnë këtë.
Çfarë raporti keni me Pep Guardiolën?
Të mirë, gjithmonë. Ai më solli në ekipin e parë kur isha 16 vjeç, më dha mundësinë të debutoj dhe për këtë do t’i jem gjithmonë mirënjohës.
Çfarë e bën atë trajnerin më të mirë në botë?
Kujdesi për detajet, aftësia për të parë gjëra që ne nuk i shohim, që trajnerët e tjerë nuk i shohin. Brenda tij ka një uri për të qenë në maksimum çdo ditë. Na shtyn edhe neve të bëjmë të njëjtën gjë.
Kush është Phil Foden jashtë fushës?
Më pëlqen të jem argëtues dhe i relaksuar. Jam baba, familjar, më pëlqen peshkimi, njeri i thjeshtë që jeton për futbollin.
A ka ndonjë gjë nga peshkimi që e përdorni edhe në futboll?
Aftësia për të qenë i qetë. Para ndeshjeve, shumë prej shokëve të mi pëlqejnë të ngazëllohen. Unë preferoj të jem i qetë, i relaksuar. E kam mësuar qartësisht nga peshkimi.
Si do dukej një sezon ëndrrash për ju?
Me skuadrën time që fiton një trofe. Ose dy, ose tre, ose katër. Të fitosh diçka duhet të jetë gjithmonë objektivi. Ta ndash atë ndjesi me shokët e skuadrës është ndjesia më e mirë që mund të përjetosh.
Dhe në nivel personal, si do ishte një sezon ëndrrash?
Duke luajtur gjithmonë me buzëqeshje në fytyrë.
The post Baba i përkushtuar, peshkatar dhe njeri i thjeshtë që jeton për futbollin… Foden rrëfehet për gjithçka appeared first on Telesport.