Azerbajxhani do të dërgonte paqeruajtës në Gaza, por vetëm me një kusht, thotë burimi

Azerbajxhani nuk planifikon që të dërgojë paqeruajtës në Gaza pa u arritur ndërprerja e plotë e luftimeve mes Izraelit e Hamasit, i tha të premten agjencisë së lajmeve “Reuters” një burim qeveritar azer.

Si pjesë e planit të paqes për Gazën të presidentit amerikan, Donald Trump, Shtetet e Bashkuara kanë biseduar me Azerbajxhanin, Indonezinë, Emiratet e Bashkuara Arabe, Egjiptin, Katarin dhe Turqinë për kontribute të mundshme nga këto shtete në Forcën Ndërkombëtare të Stabilizimit (FNS) prej rreth 20 mijë trupash.

“Ne nuk duam që t’i vëmë trupat tona në rrezik. Kjo [dërgimi i trupave] mund të ndodhë, nëse veprimet ushtarake ndalen tërësisht” – tha burimi azer.

Një përfaqësues i Ministrisë së Jashtme të Azerbajxhanit refuzoi të komentonte si reagim ndaj pyetjeve me shkrim të agjencisë “Reuters” në lidhje me rrethanat në të cilat ky shtet do të kontribuonte me trupa paqeruajtëse.

Sipas një rezolute të draftuar nga ShBA-ja në Kombet e Bashkuara, FNS-ja do autorizohej që t’i “përdorte të gjitha masat e nevojshme” – që do të thotë edhe forcën, nëse ka nevojë – për ta kryer mandatin e vet për stabilizimin e sigurisë në Gaza.

Hamasi nuk ka treguar nëse do të pajtohet për t’u çarmatosur e për demilitarizim të Gazës, diçka që më parë e ka kundërshtuar.