Kryesia e LDK-së ka ashpërsuar kritikat ndaj qeverisë, teksa Visar Azemi akuzoi Vetëvendosjen për rritjen më të madhe të çmimit të energjisë elektrike në Kosovë. Në një intervistë për Kanal10, kandidati për deputet nga LDK, Visar Azemi, tha se situata aktuale është pasojë e, siç e përshkruan ai, “monopolizimit të tregut nga Vuk Hamoviq”, të cilin e cilësoi si figurë dominuese në shitblerjen e energjisë.
Azemi theksoi se “nacionalizëm është me përjashtu Vuk Hamoviqin nga tregu, e jo me i çu pare Serbisë”, duke shtuar se Hamoviqi duhet futur në listë të zezë. “Nacionalizëm është me i thënë: ti s’mundesh me na shit energji elektrike se ke abuzuar me çmime”, deklaroi ai.
Sipas tij, Hamoviq “ka krijuar monopol në transmision dhe ka abuzuar”, duke pretenduar se ekzistojnë fakte të mjaftueshme për ta larguar nga tregu. Azemi akuzoi qeverinë se po i transferon para Serbisë përmes këtij modeli të furnizimit.
Ai shtoi se çmimi i energjisë “është dyfishuar”, ndërsa vendi ka mbetur “pa investime për pesë vjet”, pa ndërtuar asnjë kapacitet të ri gjenerues. “Krejt shitblerjen e energjisë ta kryen Vuk Hamoviqi”, përfundoi Azemi.











