Azemi: Qëllimi është t’u kthehen qytetarëve paratë të cilat ua morën padrejtësisht

Visar Azemi po intervistohet nga Prokuroria e Shtetit lidhur me dyshimet e ngritura për kalibrimin e gabuar qëllimshëm të njëhsorëve të energjisë elektrike.

Sekretari Organizativ i Lidhjes Demokratike të Kosovës tha se qëllimi kryesor i aktivizmit të tij mbetet kthimi i mjeteve që qytetarët dyshohet se kanë paguar padrejtësisht.

“Akoma po manipulohet me qytetarë”, tha Azemi. “Po thuhet që këto devijime po e masin saktë sasinë, por nuk po tregojnë ku është problemi”.

“Qëllimi është që t’u kthehen të gjitha paratë që u janë marrë padrejtësisht qytetarëve të Kosovës”, u shpreh ai.

Azemi e quajti skandal të madh çështjen e njëhsorëve.

“Meqë Prokuroria e ka autorizuar Policinë për t’u marrë me këtë hetim, unë jam ftuar si dëshmitar dhe po e bëj punën time me aq sa më takon”, u shpreh ai.

Ai paralajmëroi se “shumë shpejt nëpër qendrat e qyteteve të ndryshme do të fillojmë me peticion” për kompensimin e qytetarëve për pagesat e rrymës. /Paparaci.com