Kryetari i Sindikatës së Pavarur të Sektorit Privat të Kosovës, Jusuf Azemi, tha se në këtë ditë punëtorët e Kosovës janë në gjendje të rëndë.
“Është një mal me probleme, edhe më herët e kemi thënë, sot mbi 50 për qind të punëtorëve janë pa kontrata pune”, tha ai sot në emisionin e mëngjesit “Mirëmëngjesi Kosovë”, në Radio Televizionin e Kosovës.
Sipas tij, edhe vdekjet e fundit në vendet e punës janë si pasojë e mos respektimit të ligjit.
Azemi tha se ka shumë arsyeje se punëtorët po ikin prej Kosovë.
Sot, gjithashtu mbahet protestë në Prishtinë e Han të Elezit, për vdekjet në vendin e punës.
Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës (BSPK) do të organizojë protesta kundër vdekjeve në vendin e punës, pagave të ulëta të punëtorëve, si dhe skemave pensionale.
Konkurse të manipuluara, procedura gjyqësore të papërfunduara që lidhen me punën, punë 24-orëshe pa ndërprerë, mospagesë të kontributeve pensionale nga punëdhënësi, mospagesë të pagave deri në 8 muaj, privim nga pushimi vjetor dhe ai mjekësor, mospagesë për punën jashtë orarit të rregullt etj., janë disa nga shumë padrejtësi dhe shkelje me të cilat përballen punëtorët në Kosovë.
Mungesa e zbatueshmërisë së ligjit të punës dhe mbrojtjes e sigurisë në punë si dhe mosrespektimi i të drejtave të punëtorëve nga biznesi, por edhe institucionet ka bërë që shkeljet të shpeshtohen madje në disa raste punëtorëve vendi i punës u ka kushtuar edhe me jetë.
Përderisa në sektorin privat ka shkelje në secilën dispozitë të Ligjit të punës siç është mungesa e kontratës, vonesat në paga, problemet me pushime etj., në sektorin publik shkeljet më të mëdha bëhen në fazën e konkurseve.
Kryetari i Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës (BSPK), Avni Ajdini, ka ftuar të gjithë punëtorët që sot të dalin në protestë nga ora 11:00 në sheshin ‘Nënë Tereza’ e deri të Teatri Kombëtar.