Azemi: Në sektorin publiko-privat ka punëtorë që marrin 292 euro pagë

Rritja e çmimeve në treg ka bërë që çështja e pagave në sektorin privat të rikthehet si një shqetësim kryesor për punëtorët.

Në këtë kontekst, debati për domosdoshmërinë e rritjes së pagave po rikthehet në qendër të vëmendjes.

Për këtë çështje ka folur kryetari i Sindikatës së Sektorit Privat, Jusuf Azemi, i cili ka shpjeguar kërkesat dhe pritshmëritë e punëtorëve të këtij sektori.

Ai tha se në sektorin privat ka pasur lëvizje të pagave.

Sipas tij, gjendja tek punëtorët që paguhen drejtpërdrejt nga pronarët e kompanive private është e mirë por jo e kënaqshme, ndërsa kompanitë që ofrojnë shërbime për institucionet shtetërore dhe komunale kanë ngecje jashtëzakonisht të mëdha.

“Nuk mund të themi që nuk ka rritje të pagave në sektorin privat, por sektori privat prej kompanive që i quajmë ne publiko-privat, ka ngecje jashtëzakonisht shumë të mëdha, pra kompanitë që kryejnë shërbime për institucionet shtetërore dhe komunale, përderisa tek punëtoret të cilët punojnë dhe paguhen direkt nga pronarët e kompanive është një gjendje më e mirë, jo e kënaqshme por më e mirë”, tha ai.

Ai shtoi se në sektorin publiko-privat ka punëtorë që ende marrin paga vetëm 292 euro, gjendje kjo që e konsideron jashtëzakonisht të keqe.

“Në këtë sektorë edhe sot kemi punëtorë që marrin pagë 292 euro, tek punëtorët që ka prekje shteti dhe kuvendet komunale, gjendjen e kemi jashtëzakonisht shumë të keqe”, tha Azemi.

Kryetari i Sindikatës së Sektorit Privat, Jusuf Azemi, tha se trendi i ikjes së punëtorëve nga vendi vazhdon pothuajse pa ndryshim. Ai shtoi se situata është përkeqësuar nga bllokada politike në vend, pasi nuk ka institucione të funksionuara që të merren me problematikat e punëtorëve të sektorit privat në Kosovë.

“Trendi është duke vazhduar pothuajse me një zhvillim të njëjtë, nuk kemi një zot shtëpie, nuk kemi një institucion i cili merret me problematikat e punëtorëve të sektorit privat të Kosovës”, tha ai.

Azemi, tha se sipas të dhënave zyrtare, rreth 10% e popullsisë së Kosovës afërsisht 170 mijë veta, kanë ikur jashtë vendit gjatë katër viteve të fundit. Sipas tij numri i atyre që kanë lëshuar vendin është edhe më i madh se në të dhënat zyrtare.

“Sipas të dhënave zyrtare nga 4 vite më herët dhe deri tash 10% e popullsisë të Kosovës kanë ikur jashtë që nënkupton rreth 170 mijë e që ne kemi shifra hala më të mëdha që e kanë lëshuar Kosovën”, deklaroi ai.

Kryetari i Sindikatës së Sektorit Privat, Jusuf Azemi, tha se kërkesa e tyre për një pagë minimale prej 600 eurosh është bërë që nga marsi i këtij viti.

Ai shtoi se kishte planifikuar që kjo të ndodhte deri në shtator, por bllokada politike ka penguar çdo negociatë.

“Kërkesa jonë që nga marsi i këtij viti ka qenë që paga minimale duhet të jetë 600 euro dhe ne kemi dhënë një afat që kjo duhet të jetë deri në shtator, pa e llogaritur në atë se ne nuk e kemi menduar se do të vjen deri tek një bllokadë e tillë, dhe të gjitha institucionet edhe shtetërore edhe komunale e kanë kërkesën tonë në tavolinë, mirëpo tani për tani nuk kemi as me kënd të negociojmë”, tha Azemi.

Azemi tha se mungesa e punëtorëve ka një efekt motivues mbi qeverinë, duke shtyrë që minimumi i pagës të jetë 600 euro. Megjithatë, ai tha se gjendja aktuale është më e mirë se disa vite më parë, pasi fuqia e punëtorëve të sektorit privat të Kosovës është bërë shumë më e vlefshme.

“Ne presim dhe na inkurajon fakti që mungesa e këtyre punëtorëve  e shtyn qeverinë e Kosovës që minimumi paga minimale të jetë 600 euro, megjithatë tani jemi në gjendje më të mirë se sa kemi qenë më herët, pasi fuqia e punëtorit të sektorit privat të Kosovës është shumë më e vlefshme se sa që ka qenë para dy tri vitesh”, tha ai. /Front Online