Jusuf Azemi, kryetar i sektorit privat, ka komentuar mosrealizimin e premtimit të Kryeministrit Albin Kurti për pushimin e lehonisë, duke shprehur dyshimet e tij për realizimin e tij. Azemi ka theksuar se zakonisht para zgjedhjeve bëhen shumë premtime që shpesh mbeten vetëm fjalë dhe pa u kthyer në veprime konkrete.
‘’Në rend të parë zakonisht para zgjedhjeve ne përfitojmë shumë ne këto i përfitojmë vetëm pot themi kështu në ‘’ajër’’, sepse shumica e premtimeve nuk realizohen kurrë’’, tha Azemi për FrontOnline.
Azemi tha se lidhur me këtë temë ekziston ligji i punës, por ky ligj ende nuk është diskutuar me aktorët kryesorë, dhe se ideja e pushimit të lehonisë është më shumë e ‘’shpikur’’.
‘’Për pushimin e lehonisë ekziston një ligj i punës për të cilin ne faktikisht as me akterët kryesorë nuk kemi biseduar dhe realisht kjo farë pune është e shpikur nga vetvetja’’, deklaroi Azemi.
Azemi ka përmendur se, edhe pse çdo nismë që mbështet punëtorët është pozitive, ky premtim sipas tij nuk do të realizohet 100%. Ai ka shtuar se është e nevojshme të investohet tek gratë, sidomos për rritjen e natalitetit.
‘’Kjo do të kishte qenë shumë e mirë nëse do të kishte ndodhur por unë jam i bindur 100% se këtë nuk e bën siç nuk i ka bërë të tjerat, përndryshe dihet që gjithçka që është në favor të punëtorit është e mirë, kjo është edhe në interes të shoqërisë sepse ka nevojë të rritet’’, deklaroi Azemi.