Gjykata Komerciale e Kosovës, Dhomat e Shkallës së Parë ka marrë vendim që të pezullojë vendimin e Zyrës së Rregullatorit për Energji për daljen në treg të lirë për bizneset, transmeton KosovaPost.
Kështu ka njoftuar avokatja Blinera Osmani.
Ajo ka shkruar në Facebook se më 29 korrik 2025, Gjykata Komerciale e Kosovës, Dhomat e Shkallës së Parë, përmes Aktgjykimit KA.nr.301/25, ka marrë një vendim të qartë dhe detyrues, duke: Anuluar pikën IV të Vendimit të ZRrE-së nr.275/24, datë 05.04.2024; Anuluar tërësisht Njoftimin e ZRrE-së të datës 12.03.2025 për daljen në treg të lirë, si të kundërligjshëm, Pezulluar në tërësi zbatimin e të gjitha këtyre vendimeve deri në një vendim përfundimtar të gjykatës; Kjo do të thotë se për të gjithë konsumatorët vendimi për daljen në treg të lirë nuk mund të zbatohet më; Si dhe ata duhet të rikthehen menjëherë në tregun universal, me furnizim të sigurt dhe me tarifa të rregulluara, ashtu siç ishin para datës 1 qershor 2025.
“Vendimi është i zbatueshëm menjëherë dhe prodhon efekt të drejtpërdrejtë juridik. U bëjmë thirrje ZRrE-së dhe të gjithë operatorëve të tregut të energjisë që të respektojnë dhe zbatojnë pa vonesë këtë vendim gjyqësor”, thuhet në njoftim.
Në anën tjetër, gjatë ditës ZRRE, ka ritheksuar se procesi i hapjes së tregut të energjisë elektrike është në përputhje të plotë me legjislacionin në fuqi, në mënyrë transparente dhe të paanshme, duke respektuar të gjitha standardet procedurale dhe materiale. Madje, sipas ZRRE-së, nga data e nesërme pasojnë ndërprerjet pasi furnizimi i garantuar përmes FMF nuk do të jetë më i vlefshëm ligjërisht.

The post Avokatja Osmani: Pezullohet vendimi i ZRRE-së për daljen në treg të lirë për bizneset appeared first on Kosovapost.net.