Muhamet Mujaj, avokati që fitoi në Gjykatën Supreme rastin kundër obligimit që pensionistët të paraqiteshin në autoritete çdo gjashtë muaj për të konfirmuar që janë gjallë, ka thënë se pensionistët që kishin pësuar nga ky udhëzim administrativ kanë të drejtë të kompensohen për mjetet e humbura.
Në KTV, Mujaj ka thënë se ka qenë absurde që një obligim i tillë ka qenë në funksion për 10 vjet. Sipas tij, ky nen i udhëzimit administrativ ka qenë shkelje e të drejtave të njeriut.
“Pas vendimit të Gjykatës Supreme, të gjithë pensionistët të cilëve iu është bërë padrejtësi duke ua ndalur pensionin, mund të kërkojnë drejtësi për dëmin që iu është bërë. Konsideroj se gjykatat do t’i trajtojnë këto raste nëse ka”, ka thënë ai. “Ne kemi edhe disa ligje për dëmet, është ligji i marrëdhënies së detyrimeve i cili çdokujt që i bëhet dëm ka të drejtë t’i drejtohet gjykatës kompetente për ta kompensuar atë dëm. Ato raste që janë gjykata do t’i trajtoj me prioritet”.
Të mërkurën, Gjykata Supreme njoftoi se ka vendosur që t’i shpallë të paligjshme nenet dhe paragrafët e udhëzimit administrativ që obligonin pensionistët të paraqiteshin çdo gjashtë muaj për të dëshmuar se janë gjallë dhe masat sanksionuese nëse kjo nuk bëhej.
Sipas udhëzimit administrativ, nëse një pensionist nuk paraqitej me kohë brenda 6 muajve, atëherë atij i suspendohej e drejta e pensionit. E ky suspendim bëhej i pakompensueshëm nëse pensionisti nuk paraqitej as në një afat prej tre muaj prej datës së suspendimit. Pra pensionisti që nuk paraqitej për 3 muaj pas suspendimit, humbte tre pensione.
Me këtë vendim, Gjykata Supreme i ka shpallur të paligjshme dhe ka shfuqizuar paragrafin 2 të nenit 4. Çka thotë ky paragraf:
“Shfrytëzuesit e pensionit janë të obliguar që të lajmërohen personalisht çdo 6 muaj përkatësisht 180 ditë, në zyrat me të afërta të Departamentit të Pensioneve.”
Po ashtu janë suspenduar paragrafët 1, 2, 3 dhe 4, të këtij udhëzimi. Çka thonë këto paragrafë:
“1. Nëse pensionisti nuk lajmërohet siç është përcaktuar në nenin 4 paragrafin 2 të këtij udhëzimi, suspendohet përkohësisht nga pagesa e mëtejme e pensionit.
2. Pensionisti që është suspenduar sipas paragrafit 1 të këtij neni, i vazhdohet pagesa e pensionit, nëse pensionisti lajmërohet në zyrën përkatëse pensionale, brenda tre (3) muajsh nga data e suspendimit.
3. Në rast se pensionisti, lajmërohet brenda tre (3) muajve nga data e suspendimit, duke llogaritur muajin e lajmërimit, Departamenti i Pensioneve, përkatësisht zyra e pensioneve, është e detyruar të ia paguaj pensionet e papaguara maksimalisht për tre (3) muaj.
4. Në rast se pensionisti, nuk lajmërohet në afat prej tre (3) muajsh apo nëntëdhjetë (90) ditë, nga data e suspendimit, kërkesa e tij konsiderohet si riaplikim ndërsa pagesa do të rrjedhë nga dita (muaji) e paraqitjes së kërkesës.”













