Avokati i Popullit: Shteti po shkel të drejtat e pensionistëve

Shuma e ulët e pensioneve që marrin pensionistët e Kosovës, të cilët pavarësisht shkollimit dhe kontributit mbi 40-vjeçar, nuk është halli i vetëm që kanë.

Shteti, përveç pensionit minimal, ua ka vendosur edhe një barrë të rëndë, detyrimin që dy herë në vit të mbledhin të gjitha forcat dhe të shfaqen personalisht në administratën e Departamentit për Pensionistë, pranë Ministrisë së Financave, Punës dhe Transfereve.

Gjithë kjo rrugë e mundimshme bëhet vetëm që shteti të sigurohet se ata ende jetojnë dhe t’ua japë pensionin.

Një gjë e tillë nuk përputhet aspak me të drejtat e njeriut, sipas Avokatit të Popullit, Naim Qelaj.

Reagime dhe kërkesa nga Avokati i Popullit thotë se pati vazhdimisht.

Qelaj, për KIKS Kosovën kujton se kërkesat për largimin e këtij udhëzimi u bënë edhe më të forta pas pandemisë, por, pavarësisht këtyre thirrjeve, asnjëherë nuk u morën parasysh.

Si problem kyç, sipas tij është mungesa e alternativave që duhet t’u ofrohen pensionistëve; në këtë rast, ata do të zgjidhnin mënyrën më të thjeshtë për ta.

E të papranueshme, Avokati i Popullit i konsideron hapat që institucionet ndërmarrin kur këta të moshuar, harrojnë të paraqiten.

Fakti që muajt e humbur pensionistëve nuk u kthehen në mënyrë retroaktive, sipas Qelajt, përbën shkelje të të drejtave të tyre.

Ai rrëfen se, duke qenë se zyra e tij dhe ajo ku pensionistët vijnë për t’u paraqitur janë afër, pamjet e të moshuarve duke pritur në radhë i kujtojnë edhe njëherë se pak dinjitet për ta bart ky udhëzim administrativ.

Mungesat në këtë zyrë ku të moshuarit paraqiten, Qelaj tha për KIKS Kosovën se janë të shumta, duke filluar që nga kushtet e vendit ku ata detyrohen të presin.

Gjithashtu, ai ka theksuar se edhe vetë administrata është e pajtimit që duhet një reformë e thellë sa i përket çështjes së pensionistëve.