Avokati i Popullit, z. Naim Qelaj, priti në takim, me kërkesë të saj, kryetaren e Dhomave të Specializuara të Kosovës, znj. Ekaterina Trendafilova.
Avokati i Popullit ngriti një sërë çështjesh në lidhje me punën e Dhomave të Specializuara, duke u bazuar edhe në shqetësimet e ngritura nga palët.
Fillimisht, Avokati i Popullit shprehu shqetësimin e tij nëse po garantohet një gjykim i drejtë dhe i paanshëm, sipas standardeve të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, lidhur me të drejtat e të akuzuarit në procedurë, të përcaktuara edhe me Kushtetutën e Republikës së Kosovës.
Në këtë aspekt, ai foli për barazinë e armëve në raport me provat dhe mënyrën se si janë siguruar ato, veçanërisht duke iu referuar provave të siguruara nga Republika e Serbisë, duke pasur parasysh që Serbia është një shtet me qëndrime armiqësore ndaj Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, pjesë e së cilës janë të akuzuarit. Ai shtoi se, duke marrë parasysh mënyrën, rrugën dhe procedurat për sigurimin e këtyre provave, duhet vlerësuar se sa janë ato të besueshme dhe sa mund të jenë të komprometuara në momentin e paraqitjes në gjykatë, si dhe sa i mundësohet mbrojtjes t’i kundërshtojë ato përmes marrjes së informacioneve nga palët që i kanë siguruar.
Nga shqetësimet e pranuara nga Avokati i Popullit, del si veçanërisht shqetësuese mënyra e funksionimit të gjykatës, me konsolidimin e të gjitha niveleve brenda një strukture të vetme, çka ngjall dyshime në pavarësinë e gjykatave të brendshme, dhe që bie ndesh me standardet ndërkombëtare për një gjykim të drejtë në raport me shkallëshmërinë e procedurës dhe të drejtën për një mjet efektiv juridik.
Ai potencoi se mbetet shqetësuese edhe vendosja e Dhomës Kushtetuese brenda kësaj strukture, duke vënë në pikëpyetje ndarjen e pushteteve, marrë parasysh që kjo dhomë nuk ushtron funksione të gjykatave të zakonshme, por ka karakter vlerësues për kushtetutshmërinë dhe kontrollin e respektimit të të drejtave të njeriut, në përputhje me standardet ndërkombëtare që janë pjesë e legjislacionit të Republikës së Kosovës.
Për më tepër, shqetësues mbetet fakti që Avokati i Popullit është pjesë e kësaj strukture, gjë që bie ndesh me Parimet e Parisit, të cilat përcaktojnë se institucioni i Avokatit të Popullit duhet të jetë i pavarur, i themeluar me ligj ose Kushtetutë, i zgjedhur në mënyrë transparente dhe që ushtron mandatin pa ndikuar nga asnjë autoritet – kushte që nuk duken të plotësuara në rastin e Dhomave të Specializuara.
Në këtë takim u ngrit si shqetësim edhe çështja e përgjimit të bisedave dhe vizitave në paraburgim, pasi konsiderohet se, ndonëse mund të jenë të lejuara me ligj, ato cenojnë parimin e privatësisë, jetën familjare dhe të drejtën për mbrojtje efektive – veçanërisht nëse këto përgjime ndodhin edhe ndaj ekipit mbrojtës të të akuzuarve.
Avokati i Popullit shprehu shqetësim edhe për kohëzgjatjen e paraburgimit. Ai vlerësoi se kjo zgjatje dhe mungesa e zëvendësimit të paraburgimit me masa alternative tregon mungesë besimi të gjykatës në institucionet e Kosovës për garantimin e një procesi të rregullt dhe të papenguar.
Po ashtu, ai theksoi edhe çështjen e kompensimit të viktimave, duke vënë në dukje se kompensimi nuk është në nivel të njëjtë me atë që ofrohet për të dëmtuarit në rastet që trajtohen nga gjykatat në Republikën e Kosovës – duke kërkuar trajtim të barabartë për të gjithë.
Në përfundim, Avokati i Popullit theksoi se, pavarësisht kufizimeve që ka mandati i tij në raport me Dhomat e Specializuara, ai mban përgjegjësi kushtetuese dhe ligjore për të reaguar lidhur me funksionimin e sistemit të drejtësisë – përfshirë edhe këto gjykata. Ai e konsideroi sqarimin publik për të gjitha çështjet e ngritura si interes të drejtësisë dhe të vetë gjykatës, duke theksuar nevojën për më shumë transparencë publike, shpjegime të qarta dhe angazhim të përbashkët për ruajtjen e ekuilibrit mes drejtësisë dhe të drejtave themelore të njeriut.
Institucioni i Avokatit të Popullit mbetet i përkushtuar të ngrejë zërin në mënyrë institucionale dhe të pavarur, sa herë që paraqiten çështje që shqetësojnë qytetarët dhe publikun, e që lidhen me standardet e të drejtave themelore të njeriut.