Avokati i PDK-së që fitoi disa lëndë në Kushtetuese: Dekreti i Osmanit, plotësisht kushtetues

Avokati Faton Fetahu vlerëson se dekreti i presidentes në largim Vjosa Osmani për shpërndarjen e Kuvendit është në përputhje të plotë me Kushtetutën e Republikës së Kosovës.

Fetahu tha sot në një postim në rrjetet sociale se është fakt i pamohueshëm që zgjedhja e presidentit ka dështuar “brenda afatit prej më së voni 30 ditëve para përfundimit të mandatit të Presidentes aktuale”.

“Po ashtu është fakt i pakontestueshëm se afati 60-ditor për zhvillimin e procedurës për zgjedhjen e Presidentit, sipas nenit 82 (3), ka filluar të rrjedhë nga data 5 janar dhe ka përfunduar dje, më 5 mars 2026”, tha ai.

Bazuar në vlerësimin e Fetahut, presidenti nuk është zgjedhur dhe “për pasojë, në mënyrë automatike vendi duhet të shkojë në zgjedhje”.

“Prandaj, dekreti i Presidentes për shpërndarjen e Kuvendit, si rezultat i dështimit për ta zgjedhur Presidentin sipas afateve të mësipërme, është plotësisht kushtetues”, tha ai.

Ai shtoi se zgjedhjet duhet të mbahen brenda 45 ditësh nga shpallja e tyre.

Fetahu, gjatë katër viteve të fundit përfaqësoi Partinë Demokratike të Kosovës në disa beteja në Gjykatën Kushtetuese, shumicën prej të cilave i fitoi.