Avokati Bajraktari: Gjykata Kushtetuese gardiane e palodhshme në mbrojtje të Republikës

Avokati Ardian Bajraktari e ka lavdëruar punën e Gjykatës Kushtetuese.

Ai ka vlerësuar se kjo gjykatë po e luan rolin e gardianes së palodhshme në mbrojtje të Republikës.

Në profilin e tij në “Facebook”, Bajraktari ka shkruar se masa e përkohshme për Kuvendin e vendosur dje ka qenë hapu i duhur.

“Gjykata Kushtetuese nuk po lejon të cenohet rendi juridik dhe demokratik në Republikën e Kosovës, ky është fakt.

Në vendimin e saj për masë të përkohshme, Gjykata ndër të tjera thekson se është e domosdoshme që të ndalohen të gjitha veprimet e mëtejme drejt zgjedhjes së Qeverisë dhe vazhdimit të punës së Kuvendit, në mënyrë që të mos cenohet rendi juridik dhe demokratik në Republikën e Kosovës. Gjykata po ashtu, ka vlerësuar se ndalimi i të gjitha vendimeve dhe veprimeve të deputetëve të zgjedhur të Kuvendit dhe çdo procedurë e mëtejme për formimin e Qeverisë, mund të evitojë rreziqe apo dëme të pariparueshme që ndërlidhen me themelimin e institucioneve shtetërore dhe nxjerrjen e vendimeve në kundërshtim me Kushtetutën”, ka shkruar Bajraktari.