Japonia ka deklaruar se ka ngritur avionë luftarakë të premten për të monitoruar avionët luftarakë rusë, përfshirë bombarduesit strategjikë të aftë për të mbajtur armë bërthamore, të cilët kishin fluturuar përgjatë kufirit të hapësirës ajrore japoneze në bregdetin e saj.
Ministria e Mbrojtjes e Rusisë, në një deklaratë të raportuar nga agjencia shtetërore e lajmeve RIA, konfirmoi se bombarduesit e saj Tu-95 ishin shoqëruar nga avionë luftarakë nga një vend tjetër gjatë asaj që e përshkroi si një fluturim rutinë patrullimi mbi ujëra neutral, shkruan Reuters, transmeton Klankosova.tv.
Incidenti ndodhi disa orë para se kryeministrja e re e Japonisë, Sanae Takaichi, të premtonte në fjalimin e saj të parë në parlament që nga marrja e detyrës për të përshpejtuar ndërtimin e mbrojtjes. Takaichi tha se aktivitetet ushtarake të Rusisë, së bashku me ato të Kinës dhe Koresë së Veriut, përbënin një “shqetësim serioz”.
Ministria e Mbrojtjes e Japonisë publikoi një hartë që tregon rrugën e fluturimit të aeroplanëve rusë pranë bregut perëndimor të Japonisë mbi Detin e Japonisë. Ajo tha se dy bombarduesit Tu-95 shoqëroheshin nga dy avionë luftarakë Su-35 dhe fillimisht kishin fluturuar drejt ishullit Sado të Japonisë përpara se të ktheheshin në veri.










