Lëvizja Vetëvendosje nuk ka një emër për president, por as partnerët e saj nga partia Guxo, e cila është themeluar si iniciativë nga Vjosa Osmani, nuk kanë ndërmarrë ndonjë nismë për të mbledhur nënshkrime për zyrtarizimin e kandidaturës për rizgjedhjen e saj, ndonëse ka kohë që ajo i ka shfaqur synimet për një mandat të dytë presidencial.
Haxhi Avdyli, deputet nga Guxo, në një bisedë me Kallxo.com, tha se si grup brenda Lëvizjes Vetëvendosje janë pak dhe se për president duhen 80 vota.
“Nëse flasim personalisht, unë e vlerësoj shumë performancën dhe angazhimin e deritashëm të Presidentes Osmani dhe vota ime do të ishte pro saj nëse është kandidate. Por ne jemi pak vota, sepse për ta zgjedhur një president nuk varet nga vullneti apo dëshira personale, [por] varet nga konsensusi, kompromisi i përgjithshëm, pasi duhen 80 vota”, tha Avdyli.










