Avdullah Hoti “hap letrat”, çfarë tha për rënien e LDK-së e Lumir Abdixhikun

Avdullah Hoti ka intensifikuar kritikat ndaj kryetarit të LDK-së, Lumir Abdixhiku, duke e konsideruar rezultatin e zgjedhjeve të 28 dhjetorit si një “goditje serioze për LDK-në” dhe duke e lidhur drejtpërdrejt këtë rënie me mënyrën e udhëheqjes së partisë nga lidershipi aktual.

Në emisionin Pressing në T7, Hoti tha se Abdixhiku ka qenë kryetari me diskrecionin më të madh vendimmarrës brenda LDK-së pas Ibrahim Rugovës, por sipas tij kjo liri nuk është shndërruar në rezultate konkrete politike.

“Askush z.Abdixhiku nuk e ka mbajtë për këmishe me tërheq nga mbrapa. Përkundrazi. Nëse një kryetar i LDK-së pas Rugovës ka pas më së shumti diskrecion vendimarrës ka qenë ky në vendimmarrje që ka pas gjatë këtyre viteve”, tha Hoti.

Hoti theksoi se rënia në rreth 13 për qind nuk mund të justifikohet as me diasporën e as me faktorë të jashtëm, raporton Paparaci.

Sipas tij, problemi është i brendshëm dhe lidhet me mungesën e besimit të qytetarëve ndaj mënyrës se si është udhëhequr LDK-ja.

“Unë besoj ne duhet t’i kthehemi vetës se si të rrisim mbështetjen e vërtetë tek diaspora. Ne edhe nëpër komuna nëpër Kosovë nuk kemi pas rezultat të mirë”, tha Hoti, duke shtuar se “diaspora nuk e ka shkaktuar këtë rezultat”.

Ai kritikoi mënyrën se si LDK ka funksionuar si opozitë nën udhëheqjen e Abdixhikut, duke thënë se ka munguar dinamika dhe përballja reale me pushtetin

Hoti ka thënë se LDK duhet t’i rikthehet vlerave të saj.

Sipas tij, LDK ka potencial të madh, por duhet të ftohen njerëzit e saj që të bëhen pjesë e strukturave.

“Është parakusht bashkimi i gjitha pjesëve të LDK-së, nuk po them LDK është e copëtuar, por LDK ka shumë potencial në terren, gjithë anej në komuna, veçanti në Prishtinë. Njerëz profesionalë që duhet të ftohen që të bëhen pjesë e strukturave të ndryshme të partisë”, ka thënë ai.

Më tej ai ka theksuar se LDK nuk është parti që “heq koka liderësh”, por se partia riorganizohet.

Hoti ka thënë se lidershipi i Rugovës ishte i madh brenda partisë dhe nuk mund të prodhohet një figurë siç ka qenë ai

“Ne nuk jemi parti që heqim koka të liderëve të partisë, ne riorganizohemi pas rezultateve zgjedhore, edhe kryetarë që kanë udhëhequr bëhen pjesë të atyre ekipeve për të ecur tutje. Kjo është qasja ime edhe tash”, ka thënë Hoti.

Avdullah Hoti ka shtuar se Lumir Abdixhiku natën e zgjedhjeve ka dhënë dorëheqje.

AI tha se statuti i LDK-së është shumë i qartë, kështu ai tha se do të kërkojë besimin e delegatëve.

“Natën e zgjedhjeve Lumir Abdixhiku ka dhënë dorëheqje, në diskutimet e brendshme ka thënë do t’iu ofrojë dorëheqjet në Kuvendin e LDK-së. Deklarimi i një zyrtari publik është obligim për t’iu përmbajtur, mbi bazën e atij deklarimi që ai do t’ia ofrojë dorëheqjen Kuvendit të LDK-së, prezenca ime këtu është statutare, e kam njoftu opinionin që unë do të dërgojë besimin e delegatëve për të drejtuar LDK-në”, ka thënë ai.

Të shtunën, Kuvendi i LDK-së do të vendosë nëse do të vazhdojë me Lumir Abdixhikun në krye të partisë, apo jo.

Deri më tash, Avdullah Hoti ka bërë të ditur se do të kandidojë për kryetar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, në Kuvendin e kësaj partie, që pritet të mbahet më 31 janar.

Ai përmes një postimi në Facebook, tha se zotohet me përgjegjësi të plotë, siç u shpreh, të marrë barrën e ringritjes politike dhe organizative të partisë.

Hoti u zotua gjithashtu se do të ndërtojnë një LDK të hapur, të drejtë dhe konkurruese./Paparaci