Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV) ka bërë të ditur se ka ndaluar një sasi prej 462 copë formulë ushqimore për fëmijë me origjinë nga Holanda, e cila ishte futur në tregun e Kosovës përmes marketeve “Rossman Kosova”, pasi ishte importuar nga kjo kompani në Shqipëri.
Bllokimi i produktit është bërë për shkak të identifikimit të substancës “Cereulide” në këto produkte ushqimore për fëmijë.
Në njoftimin e shpërndarë për media, AUV sqaron se vendimi është marrë mbi bazën e informacionit të pranuar nga Republika e Shqipërisë, konkretisht nga Autoriteti Kombëtar i Ushqimit, i cili ishte njoftuar përmes Sistemit të Paralajmërimit të Shpejtë për Ushqimin dhe Ushqimin për Kafshë (RASFF) lidhur me praninë e kësaj substance në formulën ushqimore me origjinë nga Holanda.
Sipas AUV-së, “është konstatuar se subjekti ‘Rossmann & LALA SH.P.K.’ në Shqipëri ka eksportuar 462 copë të këtij produkti në Republikën e Kosovës për kompaninë ‘Rossmann Kosova’”.
Agjencia thekson se, në bashkëpunim me kompaninë përkatëse, është realizuar bllokimi i menjëhershëm i produktit dhe se në ditët në vijim do të nisë procesi i asgjësimit, në përputhje me legjislacionin në fuqi.
AUV gjithashtu thekson se, pavarësisht mungesës së inspektorëve me të cilën po përballet, mbetet e përkushtuar në monitorimin e vazhdueshëm të tregut dhe të zinxhirit ushqimor, me synim që konsumatorëve në Kosovë t’u garantohet ushqim i sigurt dhe i shëndetshëm.










