“Autostrada e Gjilanit do të bëhet”: Abdixhiku shpalos programin (VIDEO)

Kandidati për kryeministër nga radhët e LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka thënë se vendi vetëm gjatë këtij viti, ka importuar rrymë 250 milionë euro.

Në “Jehona Politike”, ai tha se me këto para do të kryheshin shumë projekte të rëndësishme për vendin.

“Me 250 milionë euro do ta përfundonim Brezovicën. Stadiumi kombëtar me shumë më pak se aq. Spitali i ri me rreth gjysmë miliardi euro, pra këto janë projektet e para”.

“Projektet në pikën 9 i kemi përfundimin e të gjitha rrugëve kombëtare. Unë erdha nga Peja, Deçani e Juniku, dhe është e pakumtimtë që një rajon i tërë ka mbetur i pakyçur me kryeqytet tash e sa vite. Pra, ta përfundojmë rrugën për Pejë, rrugën për Mitrovicë, Podujevë, dhe kyçjen Klinë-Gjakovë. Por janë dy projekte madhore. E para është autostrada e Anamoravës, e cila tash e 5 vite ka mbetur në lloq. Nuk kërkohet aty punë e jashtëzakonshme, duhet vetëm të përvilen mëngët”, theksoi Abdixhiku.

Ai përmendi rrethin problematik në Veternik në kohën kur ishte ministër i Infrastrukturës, për çka tha se ka zgjidhur atë çështje për 30 ditë.