Autoriteti i kontigjentit grek transferohet në kampin “Film City”

Sot, zëvendës-komandanti i misionit KFOR-it, gjenerali i Brigadës, Cahit Irican, kryesoi transferimin e autoritetit të kontigjentit grek në shtabin e KFOR-it në kampin “Film City”, në Prishtinë.

Lajmin e ka bërë të ditur vet KFOR-i, shkruan IndeksOnline.

“Gjatë ceremonisë, gjenerali Irican falënderoi ushtarët e gardës greke për përkushtimin e tyre dhe nënvizoi nivelet e larta të gatishmërisë dhe profesionalizmit të demonstruar” thuhet në njoftimin e KFOR-it.

KFOR-i vazhdon të zbatojë mandatin e tij, bazuar në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, për të kontribuar në një mjedis të sigurt për të gjithë njerëzit dhe komunitetet që jetojnë në Kosovë dhe lirinë e lëvizjes, në çdo kohë dhe në mënyrë të paanshme.

“KFOR-i punon në koordinim të ngushtë me Policinë e Kosovës dhe Misionin e Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX) në rolet e tyre përkatëse si reagues të sigurisë” thuhet në njoftim.