Me afrimin e festave të fundvitit dhe rritjen e kërkesës për produkte dhe shërbime, Autoriteti Kosovar i Konkurrencës u bën apel të gjitha bizneseve dhe operatorëve ekonomikë që të përmbahen nga çdo rritje e pajustifikuar e çmimeve, në kundërshtim me Ligjin për Mbrojtjen e Konkurrencës.
Autoriteti rikujton se çdo marrëveshje, bashkërendim apo veprim i njëanshëm ndërmjet bizneseve, i cili ka për qëllim apo efekt rritjen artificiale të çmimeve, ndarjen e tregut, kufizimin e konkurrencës ose abuzimin me pozitën e përbashkët dominuese, përbën shkelje të rëndë të ligjit dhe është subjekt i sanksioneve ligjore.
Festat e fundvitit nuk duhet dhe nuk do të shfrytëzohen për abuzim me konsumatorët, për rritje të koordinuara të çmimeve apo për praktika që cenojnë konkurrencën e lirë dhe të ndershme në treg. Çmimet duhet të reflektojnë kushtet reale të tregut dhe jo marrëveshje të ndaluara, sjellje spekulative apo shfrytëzim të pozitës së përbashkët në treg.
Në përputhje me Ligjin për Mbrojtjen e Konkurrencës, Autoriteti ka kompetencë të iniciojë dhe zhvillojë hetime për shkelje të konkurrencës deri në pesë (5) vite mbrapa, përfshirë edhe periudhën e festave të fundvitit.
Që nga fillimi i muajit dhjetor dhe deri në fund të këtij muaji, inspektorët e Autoritetit Kosovar të Konkurrencës do të jenë çdo ditë në terren, në të gjitha qytetet e Republikës së Kosovës, duke monitoruar në mënyrë të vazhdueshme dhe të kujdesshme lëvizjet dhe rritjet e çmimeve në treg.
Autoriteti u bën thirrje bizneseve që:
-
Të veprojnë në përputhje të plotë me Ligjin për Mbrojtjen e Konkurrencës;
-
Të shmangin çdo formë të bashkërendimit të çmimeve apo sjelljeve të koordinuara;
-
Të mos abuzojnë me pozitën e përbashkët apo fuqinë e tyre në treg;
-
Të tregojnë përgjegjësi ndaj qytetarëve dhe konsumatorëve, veçanërisht gjatë kësaj periudhe festive.
Njëkohësisht, Autoriteti i inkurajon konsumatorët që të raportojnë çdo dyshim për rritje të pajustifikuar ose të koordinuar të çmimeve, në mënyrë që të ndërmerren veprimet e nevojshme ligjore.
Dyshimet mund të dërgohen edhe përmes emailit zyrtar: [email protected]
Respektimi i ligjit dhe i konkurrencës së lirë është detyrim ligjor dhe interes i përgjithshëm për bizneset, konsumatorët dhe ekonominë e Republikës së Kosovës. /Demokracia.com/











