Një tjetër zbulim i armatimeve të reja ajrore ishin edhe bombat e drejtuara me lazer për dronët Bayraktar TB2.
Forcat Ajrore Shqiptare (FASH) kanë zyrtarizuar vendosjen e dronëve kamikazë YIHA-III, shtimi i të cilave rrit edhe më tej aftësitë e avancuara të sulmeve ajrore.
YIHA-III ka demonstruar tashmë efektivitetin e saj luftarak në konflikte të ndryshme, përmes vendosjes së saj në Siri, Ukrainë dhe Pakistan.
Bëhet fjalë për një municion lundrues i krijuar për sulme me precizion të lartë kundër sistemeve të mbrojtjes ajrore të armikut, instalimeve të radarëve dhe bazave të operimit përpara.
Droni mund të qëndrojë në ajër për disa orë përpara se të ekzekutojë fazën e sulmit terminal me shënjestrim të drejtuar me saktësi.
Sistemi është i optimizuar për taktikat swarm, duke lejuar dronë të shumtë që të koordinojnë sulmet në pozicionet strategjike të armikut.
Për herë të parë, autoritetet zbuluan të martën për publikun pamjet e dronëve kamikazë, të cilët u njoftuan vitin e kaluar nga kryeministri Edi Rama si dhuratë e Ankarasë zyrtare.


Kreu i Qeverisë inspektoi Bazën Ajrore të Kuçovës në prani të ministrit të Mbrojtjes, Pirro Vengu, i cili e informoi kreun e Qeverisë rreth investimeve të realizuara.
“Jemi në fazën e dytë e zhvillimit të Bazës Ajrore të Kuçovës, pasi u inaugurua edhe me mbështetjen e NATO-s. Puna ka vijuar për ndërtimin e objekteve të reja. Aktualisht jemi në zonën e fortifikuar të depove të municionit e armatimit, raketave dhe bombave drejtuese të aviacionit, ku kemi akomoduar të gjitha municionet dhe bombat drejtuese, që kanë ardhur së fundi së bashku me dronët kamikazë në zbatim të marrëveshjes me aleatin turk”, theksoi titullari i institucionit.
Një tjetër zbulim i armatimeve të reja ajrore ishin edhe bombat e drejtuara me lazer për dronët Bayraktar TB2.
Të emërtuar Mini Akıllı Mühimmat (MAM), që përkthehet “mikro municione inteligjente” ato zhvillohen nga prodhuesi turk i industrisë së mbrojtjes Roketsan.
MAM është zhvilluar për mjete ajrore pa pilot (UAV), avionë të lehtë sulmues, avionë luftarakë dhe misione ajrore-tokë për platformat ajrore me kapacitet të ulët të ngarkesës.


Përdorimet e fundit të këtij municioni janë regjistruar në pushtimin rus të Ukrainës, apo në Luftën e Tigray-it.
Në kuadër të rritjes së kapaciteteve ushtarake të Shqipërisë, kryeministri Edi Rama njoftoi më 10 tetor se Turqia do t’i dhurojë vendit tonë “një numër të konsiderueshëm dronësh kamikazë”.
“E thashë në hapje të mbledhjes së Këshillit dhe e përsëris që unë e çmoj posaçërisht dhuratën e presidentit sot në këtë kohë të trazuar kur bota ka marrë një drejtim, të çuditshëm për ta thënë me një fjalë të butë, për t’i dhënë ushtrisë së Republikës së Shqipërisë një numër të konsiderueshëm dronësh kamikazë”, njoftonte kreu i Qeverisë.
Sipas Ramës, kjo është një dhuratë që “nuk duhet të shqetësojë askënd” se kë do të godasë Shqipëria.
“Besoj që është një dhuratë që përmban brenda një mesazh shumë të qartë të Republikës së Turqisë në raport me këtë marrëdhënie, që Shqipëria është e pagoditshme”, theksonte kryeministri.
Në të njëjtën linjë ishte para disa muajsh edhe kryediplomati shqiptar Igli Hasani, i cili kujtoi se Shqipëria nuk rrit kapacitetet ushtarake për t’i përdorur ato kundër fqinjëve.
“Unë nuk mendoj se askush në rajon dhe mund të them për Shqipërinë se ne nuk blejmë dhe nuk rrisim kapacitetet ushtarake për t’i përdorur ato kundër fqinjëve tanë. Rajoni është i qëndrueshëm dhe ne kemi vazhduar ta ruajmë atë si një rajon stabil, nuk mund të harrojmë se çfarë ndodhi në vitet ’90 të shekullit të kaluar në këtë rajon të veçantë, por mendoj se jemi shumë larg saj”, shtoi Hasani.