Autori i sulmit në plazhin Bondi, anëtar i klubit serb “Zastava” në Sidnej

Një prej autorëve të sulmit terrorist në plazhin Bondi ka qenë anëtar i një klubi serb të gjuetisë në Sidnej.

Një prej autorëve të sulmit terrorist në plazhin Bondi ka qenë anëtar i një klubi serb të gjuetisë në Sidnej, ndërsa hetimi pas të shtënave masive ndaj komunitetit hebre zbuloi se Sajid Akram ka pasur licencë për gjashtë armë gjuetie që nga viti 2015.

Klubi “Zastava” grumbullon kryesisht anëtarë të diasporës serbe në Sidnej dhe, sipas raportimeve, përveç aktiviteteve të gjuetisë, organizon edhe piknikë dhe tubime.

Australia ka paralajmëruar forcimin e mëtejshëm të ligjeve për armët e zjarrit, ndërsa vendi është në zi për viktimat e sulmit që shkaktoi humbjen e jetëve të 15 njerëzve.

Prej dy sulmuesve që kryen aktin në plazhin australian, 50-vjeçari është vrarë në vendin e ngjarjes, derisa djali i tij 24-vjeçar është në gjendje kritike në spital.

Ndryshe, sulmi i cili ndodhi gjatë një ngjarjeje në shënim të ditës së parë të Hanukës – festë tradicionale hebraike që simbolizon dritën, shpresën dhe triumfin e së mirës mbi të keqen – përbën sulmin më vdekjeprurës me armë që nga viti 1996 në Australi.