Autopsitë e të burgosurve ukrainas tregojnë për sistem brutaliteti në burgjet ruse

Pas pushtimit rus në Ukrainë, mbi 200 të burgosur ukrainas të luftës kanë vdekur në robëri. Rasti i ushtarit Serhii Hryhoriev, i cili u kthye në një qese kufome, vë në pah brutalitetin dhe neglizhencën në burgjet ruse. Autopsitë dhe dëshmitë tregojnë për tortura sistematike dhe abuzime.

“Gjithçka do të rregullohet”. Ushtari ukrainas Serhii Hryhoriev e thoshte këtë aq shpesh gjatë telefonatave të shkurtra nga fronti, saqë gruaja dhe dy vajzat e tij e morën seriozisht. Vajza e tij më e vogël, Oksana, e bëri tatuazh këtë frazë në kyçin e dorës si talisman.

Edhe pasi Hryhoriev u kap nga ushtria ruse në vitin 2022, familja e tij e shqetësuar besonte se ai përfundimisht do të ishte mirë. Në fund të fundit, Rusia është e detyruar nga ligji ndërkombëtar t’i mbrojë të burgosurit e luftës.

Megjithatë, Hryhoriev u kthye në shtëpi i vdekur, në një qese kufome.

Një certifikatë vdekjeje ruse deklaron se 59-vjeçari vdiq nga një sulm në tru. Por një autopsi ukrainase dhe një ish-i burgosur lufte që u ndalua me të tregojnë një histori të ndryshme të mënyrës se si vdiq ai – një histori dhune dhe neglizhence mjekësore nga duart e rrëmbyesve të tij.

Hryhoriev është një nga më shumë se 200 të burgosur lufte ukrainas që kanë vdekur teksa ishin të burgosur që nga pushtimi në shkallë të gjerë i Rusisë tre vjet më parë. Abuzimi brenda burgjeve ruse ka qenë faktor kontribues në shumë nga këto vdekje, sipas zyrtarëve nga grupet e të drejtave të njeriut, OKB-së, qeverisë ukrainase dhe një ekzaminuesi mjekoligjor ukrainas i cili ka kryer dhjetëra autopsi të të burgosurve të luftës.

Zyrtarët thonë se numri i të vdekurve në burgje shton prova se Rusia po i abuzon sistematikisht ushtarët e kapur rob. Ata thonë se mospërputhjet mjekoligjore si ajo e Hryhorievit, dhe riatdhesimi i trupave të gjymtuar dhe të dekompozuar, tregojnë një përpjekje për të mbuluar torturat e dyshuara, urinë dhe kujdesin e dobët shëndetësor në dhjetëra burgje dhe qendra paraburgimi në të gjithë Rusinë dhe pjesën e pushtuar të Ukrainës.

Autoritetet ruse nuk iu përgjigjën kërkesave për koment. Ata e kanë akuzuar më parë Ukrainën për keqtrajtim të të burgosurve rusë të luftës – akuza që OKB-ja i ka mbështetur pjesërisht, megjithëse thotë se shkeljet e bëra nga  Ukrainës janë më pak të zakonshme dhe jo aq të rënda sa ato për të cilat akuzohet Rusia.

“Gjallë e mirë”

Hryhoriev iu bashkua ushtrisë ukrainase në vitin 2019 pasi humbi punën si punonjës zyre në një shkollë të mesme. Kur filloi lufta tre vjet më vonë, ai u stacionua me ushtarë të tjerë në Mariupol, qytet port industrial që ishte vendi i një beteje të ashpër – dhe larg shtëpisë së tij në rajonin qendror, Poltava.

Më 10 prill 2022, Hryhoriev telefonoi familjen e tij për t’i siguruar se “gjithçka do të shkojë mirë”. Kjo ishte hera e fundit që ata folën me të.

Dy ditë më vonë, një i afërm i një ushtari në njësinë e Hryhorievit telefonoi për të thënë se burrat ishin kapur. Pasi Mariupoli ra në duart e Rusisë, më shumë se 2.000 ushtarë që mbronin qytetin u bënë të burgosur rusë.

Shpejt familja e tij mori një telefonatë nga Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq, i cili konfirmoi se ai ishte gjallë dhe zyrtarisht i regjistruar si rob lufte, duke garantuar mbrojtjen e tij sipas Konventës së Gjenevës. “Na thanë: ‘kjo do të thotë se gjithçka është në rregull … Rusia duhet ta kthejë atë’”, kujtoi gruaja e Hryhorievit, Halyna.

Në gusht të vitit 2022, ajo mori një letër prej tij, ku i drejtohej me një nofkë. “Halochka ime e dashur”, shkroi ai. “Jam gjallë dhe mirë. Gjithçka do të shkojë mirë”.

E dëshpëruar për më shumë informacion, vajza e tij Oksana, 31 vjeçe, kërkoi me kujdes llogaritë e mediave sociale ruse, ku shfaqeshin rregullisht video të të burgosurve të luftës ukrainase. Më në fund, ajo e pa atë në njërën prej tyre – dukej i dobët dhe pa dhëmbë. Flokët e tij gri ishin të prera shumë shkurt, duke u dhënë formë tipareve të buta, tani pjesërisht të mbuluara nga mjekra.

Në videon, me shumë mundësi të xhiruar nën presion, Hryhoriev thotë: “Jam gjallë dhe mirë”.

“Por nëse e shikonit, do të shihnit se kjo nuk ishte e vërtetë”, tha Oksana.

E vërteta ishte e zymtë, tha Oleksii Honcharov, një 48-vjeçar i burgosur i luftës ukrainas që u ndalua me të.

Honcharov jetoi në të njëjtat kazerma burgu si Hryhoriev duke filluar nga vjeshta e vitit 2022. Gjatë një periudhe muajsh, ai pa Hryhorievin të merrte të njëjtin dënim të rëndë si çdo i burgosur tjetër i luftës në Koloninë Korrektuese Kamensk-Shakhtinsky në Rusinë jugperëndimore.

“Të gjithë u goditën – pa përjashtime”, tha Honcharov, i cili u riatdhesua në Ukrainë në shkurt si pjesë e një shkëmbimi të burgosurish. “Disa më shumë, disa më pak, por të gjithë duruam”.

Honcharov duroi muaj të tërë dhimbjesh në gjoks gjersa ishte në robëri. Edhe atëherë, rrahjet nuk ndaleshin kurrë, tha ai, dhe ndonjëherë ato fillonin pas lutjeve të tij për kujdes mjekësor, të cilat injoroheshin.

“Kah fundi, mezi ecja”, tha Honcharov, i cili u diagnostikua me tuberkuloz pasi u kthye në Ukrainë – një sëmundje gjithnjë e më e zakonshme midis të burgosurve të luftës që ktheheshin.

Një raport i OKB-së i vitit 2024 zbuloi se 95% e të burgosurve ukrainas të luftës, të liruar kishin duruar tortura “sistematike”. Të burgosurit përshkruan rrahje, goditje elektrike, dhunë seksuale, ekzekutime të simuluara dhe privim nga gjumi.

“Kjo sjellje nuk mund të ishte më e paligjshme”, tha Danielle Bell, monitoruesja më e lartë e të drejtave të njeriut e OKB-së në Ukrainë.

Raporti gjeti gjithashtu se disa të burgosur rusë të luftës u keqtrajtuan nga forcat ukrainase gjatë kapjes së tyre fillestare — duke përfshirë rrahje, kërcënime dhe goditje elektrike. Por abuzimi ndaloi pasi të burgosurit rusë të luftës u transferuan në qendrat zyrtare të paraburgimit të Ukrainës, sipas raportit.

Hryhoriev ishte fizikisht i fortë dhe shpesh u mbijetoi të burgosurve të rinj gjatë ushtrimeve të detyruara, kujtoi Honcharov. Por me kalimin e kohës, ai filloi të tregonte shenja të përkeqësimit fizik: marramendje, lodhje dhe përfundimisht, paaftësi për të ecur pa ndihmë.

Megjithatë, pavarësisht gjendjes së tij të përkeqësuar, zyrtarët e burgut ofruan vetëm kujdes minimal shëndetësor, tha Honcharov.

Zbulimi i rrethanave të vdekjes së të burgosurve të luftës

Në një dhomë të ndritshme, sterile, me erën e ëmbël dhe të thartë të dekompozimit njerëzor, Inna Padei kryen autopsi mbi trupat e ushtarëve ukrainas të riatdhesuar nga Rusia, si dhe mbi civilët e zhvarrosur nga varret masive. Qindra trupa të mbështjellë me qese plastike të zeza janë dorëzuar në kamionë frigorifer në morgun ku ajo punon në Kiev, kryeqytetin e Ukrainës.

Ata që vdiqën në betejë ende mbajnë uniforma ushtarake dhe shpesh kanë plagë të dukshme të jashtme. Trupat e ish-të burgosurve të luftës janë të veshur me uniforma burgu dhe shpesh janë të gjymtuar dhe të dekompozuar.

Është detyra e Padeit dhe ekspertëve të tjerë mjekoligjorë të bashkojnë detajet se si vdiqën ushtarë si Hryhoriev. Këto raporte janë shpesh informacioni i vetëm i besueshëm që marrin familjet e ushtarëve – dhe ato do të përdoren nga Ukraina, së bashku me dëshmitë nga ish-të burgosurit e luftës, për të ngritur akuza për krime lufte kundër Rusisë në Gjykatën Ndërkombëtare Penale.

Trupi i një ish-të burgosuri të luftës i ekzaminuar së fundmi nga Padei kishte një frakturë sa një bajame në anën e djathtë të kafkës. Kjo sugjeronte se ushtari ishte goditur nga një objekt – një goditje potencialisht aq e fortë sa ta vriste menjëherë, ose pak më vonë, tha ajo. “Këto lëndime mund të mos jenë gjithmonë shkaku i drejtpërdrejtë i vdekjes”, tha Padei, “por ato tregojnë qartë përdorimin e forcës dhe torturës kundër ushtarakëve”.

Më parë këtë vit, Amnesty International dokumentoi torturën e përhapur të të burgosurve ukrainas të luftës në Rusi. Raporti i saj ishte veçanërisht kritik ndaj sekretit të Rusisë në lidhje me vendndodhjen dhe gjendjen e të burgosurve të luftës, duke thënë se refuzonte t’u jepte grupeve të të drejtave të njeriut ose punonjësve të shëndetësisë qasje në burgjet e saj, duke i lënë familjet në terr informativ për muaj ose vite për të dashurit e tyre.

Nga më shumë se 5.000 të burgosur të luftës që Rusia ka riatdhesuar në Ukrainë, të paktën 206 vdiqën në robëri, përfshirë më shumë se 50 si pasojë e një shpërthimi në një kazermë burgu të kontrolluar nga Rusia, sipas qeverisë ukrainase. 245 të burgosur të luftës ukrainase u vranë nga ushtarët rusë në fushën e betejës, sipas prokurorëve ukrainas.

Numri i të burgosurve të luftës të vdekur pritet të rritet gjersa kthehen dhe identifikohen më shumë trupa, por ekspertët mjekoligjorë përballen me sfida të rëndësishme në përcaktimin e shkaqeve të vdekjes.

Në disa raste, mungojnë organet e brendshme. Herë të tjera, duket sikur mavijosjet ose lëndimet janë fshehur disi.

Zyrtarët ukrainas besojnë se gjymtimi i trupave është një përpjekje nga Rusia për të fshehur shkaqet e vërteta të vdekjes. Dekompozimi ekstrem është një tjetër pengesë, thonë zyrtarët.

“Ata i mbajnë trupat derisa të arrijnë në një gjendje ku asgjë nuk mund të përcaktohet”, tha Petro Yatsenko, një zëdhënës i agjencisë qeveritare ukrainase përgjegjëse për çështjet e të burgosurve të luftës.

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelenskyy ka thënë se shkëmbimi i shpejtë i të burgosurve të luftës duhet të jetë pjesë e çdo marrëveshjeje armëpushimi, së bashku me kthimin e mijëra civilëve ukrainas, përfshirë fëmijët e deportuar me forcë në Rusi. Një shkëmbim i madh të burgosurish midis Rusisë dhe Ukrainës u zhvillua gjatë fundjavës së kaluar.

Associated Press intervistoi të afërmit e 21 të burgosurve të luftës ukrainas që vdiqën në robëri. Autopsitë e kryera në Ukrainë zbuluan se pesë prej këtyre të burgosurve të luftës vdiqën nga problemet e zemrës, përfshirë ushtarë që ishin 22, 39 dhe 43 vjeç. Katër të tjerë vdiqën nga tuberkulozi ose pneumonia, dhe tre të tjerë vdiqën, përkatësisht, nga një infeksion, asfiksi dhe një plagë në kokë me forcë. Padei tha se raste si këto — dhe të tjera që ajo ka parë — janë sinjale paralajmëruese, duke sugjeruar se abuzimi fizik, lëndimet dhe sëmundjet e patrajtuara ka të ngjarë të kenë kontribuar në vdekjen e shumë ushtarëve.

“Në kushte normale ose humane, këto nuk do të kishin qenë fatale”, tha Padei.

Në një raport autopsie, mjekët ligjorë thanë se një individ ishte goditur me rrymë dhe ishte rrahur vetëm disa ditë para se të vdiste nga një problem i zemrës dhe dobësimi ekstrem. Autopsi të tjera treguan se trupat kishin shenja të gangrenës ose infeksioneve të patrajtuara.

“Çdo gjë që përshkruajnë të burgosurit e kthyer … ne e shohim të njëjtën gjë në trupa”, tha Padei.

“Një engjëll në qiell”

Muaj pasi Hryhorievit ishte paraburgosur në burgun Kamensk-Shakhtinsky – dhe pasi vajza e tij e pa atë në videon e mediave sociale të ushtrisë ruse – shëndeti i tij u përkeqësua ndjeshëm, sipas Honcharov.

Por në vend që të dërgohej në spital, Hryhoriev u zhvendos në një qeli të vogël që ishte e izoluar nga të burgosurit e tjerë. Një tjetër rob ukrainas, një ndihmës mjekësor, u caktua të qëndronte me të.

“Ishte lagështi, ftohtë, pa asnjë ndriçim”, kujtoi Honcharov.

Ai vdiq në atë qeli rreth një muaj më vonë, tha Honcharov. Ishte 20 maji 2023, sipas certifikatës së tij të vdekjes ruse.

Familja Hryhorievit nuk mësoi se ai kishte vdekur deri më shumë se gjashtë muaj më vonë, kur një ish-i burgosur lufte kontaktoi. Pastaj, në mars të vitit 2024, policia në Ukrainën qendrore telefonoi: Një trup kishte mbërritur me një certifikatë vdekjeje ruse që mbante emrin e Hryhorievit. Një test ADN-je konfirmoi se ishte ai.

Një autopsi e kryer në Ukrainë kundërshtoi pretendimin e Rusisë se Hryhoriev vdiq nga një sulm në tru. Thuhej se ai vdiq nga hemorragjia pas një traume të fortë në bark që i dëmtoi edhe shpretkën.

Trupi i Hryhorievit iu dorëzua familjes qershorin e kaluar dhe menjëherë pas kësaj ai u varros në qytetin e tij të lindjes, Pyriatyn.

Për ta nderuar atë, gruaja dhe vajza e madhe e Hryhorievit, Yana, ndoqën shembullin e Oksanas dhe bënë tatuazhe në kyçet e duarve me shprehjen optimiste të tij.

“Tani kemi një engjëll në qiell që na përcjell”, tha Halyna. “Ne besojmë se gjithçka do të shkojë mirë”.