Autobusi vozit në kah të kundërt në Prishtinë – Policia identifikon dhe ndëshkon kundërvajtësin

Njësia Rajonale e Trafikut në Prishtinë ka ndërmarrë veprime të menjëhershme pas publikimit të një videoje shqetësuese në të cilën shihej një autobus duke lëvizur në kahen e kundërt të rrugës, duke rrezikuar drejtpërdrejt sigurinë e pjesëmarrësve në komunikacion.

Pas verifikimit të pamjeve dhe identifikimit të kundërvajtësit, autoritetet kanë shqiptuar gjobën përkatëse në përputhje me dispozitat ligjore të trafikut rrugor. Po ashtu, është plotësuar edhe fletëparaqitja për procedurat e mëtejme ligjore.

Policia e Kosovës ka falënderuar qytetarët për bashkëpunimin dhe ka theksuar se sjelljet e tilla të papërgjegjshme nuk do të tolerohen, duke theksuar se garantimi i sigurisë në rrugë mbetet prioritet i lartë institucional.

Institucioni i rendit inkurajon të gjithë qytetarët që të raportojnë raste të ngjashme të rrezikimit të sigurisë rrugore, duke përdorur mjetet e raportimit në vijim:

📧 E-mail: [email protected]
📱 Aplikacioni: Lajmëro Policinë
📞 Tel: 192
🌐 Facebook: Kosovo Police