Austria e quan su*lmin iz*raelit mbi spitalin e Gazës “shkelje flagrante të së drejtës ndërkombëtare”

Duke dënuar sulmet izraelite mbi Kompleksin Mjekësor “Nasser” në Gaza, Austria deklaroi të martën se sulmet ndaj spitaleve përbëjnë “një shkelje flagrante të së drejtës ndërkombëtare.”

“Jemi të tmerruar nga vrasja e civilëve, përfshirë gazetarë dhe punonjës shëndetësorë, në sulmet ajrore izraelite mbi spitalin Nasser. Sulmet ndaj spitaleve janë një shkelje flagrante e së drejtës ndërkombëtare,” shkroi Ministria e Jashtme në rrjetin social X.

Ajo gjithashtu bëri thirrje për një armëpushim “të menjëhershëm” dhe “të përhershëm.”

Të paktën 47 palestinezë, përfshirë gjashtë gazetarë, u vranë të hënën dhe dhjetëra të tjerë u plagosën nga sulmet e reja izraelite në gjithë Rripin e Gazës, sipas mjekëve.

Ministria e Shëndetësisë fillimisht njoftoi për 20 të vrarë, mes tyre pesë gazetarë dhe një zjarrfikës, në një sulm izraelit ndaj Kompleksit Mjekësor Nasser në Khan Younis, në jug të Gazës. Sipas saj, ushtria izraelite goditi katin e katërt të njërit prej objekteve të kompleksit me dy sulme ajrore, ku sulmi i dytë ndodhi në momentin kur ekipet e shpëtimit kishin mbërritur për t’i evakuuar të plagosurit dhe për t’i nxjerrë trupat e pajetë.

Mes viktimave ishte Hussam al-Masri, fotoreporter i agjencisë Reuters, ndërsa kanali Al Jazeera konfirmoi se edhe fotografi i saj, Mohammad Salama, u vra.

Një burim mjekësor konfirmoi për Anadolu vdekjen e fotoreportes Mariam Abu Dagga, ndërsa edhe Moaz Abu Taha, fotoreporter, humbi jetën në sulmin izraelit që goditi spitalin.

Burime mjekësore i thanë gjithashtu Anadolus se Ahmed Abu Aziz, gazetar i pavarur që bashkëpunonte me portale tuniziane dhe marokene, ndërroi jetë nga plagët e marra në sulmin izraelit.

Që nga tetori 2023, Izraeli ka vrarë gati 63.000 palestinezë në Gaza. Fushata ushtarake ka shkatërruar tërësisht enklavën, e cila tani përballet me uri masive.

Në nëntor të vitit të kaluar, Gjykata Penale Ndërkombëtare lëshoi urdhërarreste për kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu dhe ish-ministrin e Mbrojtjes, Yoav Gallant, për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit në Gaza.

Izraeli përballet gjithashtu me një proces gjyqësor për gjenocid në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë për luftën në enklavë.

The post Austria e quan su*lmin iz*raelit mbi spitalin e Gazës “shkelje flagrante të së drejtës ndërkombëtare” appeared first on Kosovapost.net.