Aurier, zemër PSG, kategorik: Unë te Marseille? Kurrë në jetë, më mirë të mos haja fare

“Kurrë në jetë”. I drejtpërdrejtë, pa doreza, i tillë u tregua ish-mbrojtësi i djathtë i PSG dhe Tottenham, Serge Aurier, kur iu bë pyetja nëse ndonjëherë do të kishte pranuar të firmoste për Olympique Marseille gjatë karrierës së tij.

“Ma kanë propozuar tashmë, – shtoi ai në një episod të podcast-it “Kampo”, të drejtuar nga gazetari Smail Bouabdellah. – Kur Benatia (drejtori sportiv i OM) më foli për këtë, nuk i dhashë asnjë vazhdim, sepse ia thashë qartë se nuk më interesonte. Në atë moment isha pa klub fare, por unë jam shumë besnik”.

Pa skuadër dhe lojtar i lirë që nga qershori 2024, pas përfundimit të kontratës me Galatasaray, 32-vjeçari nga Bregu i Fildishtë sqaroi çështjen, duke theksuar rivalitetin e madh mes PSG dhe Marseille:

“Më mirë të mos haja fare sesa të firmosja për OM”. Ky “kapërcim ylberi” ishte i pakonceptueshëm për atë, që ka bërë gjithë formimin futbollistik në rajonin e Parisit, duke u rritur në Villepinte dhe veshur fanellën kuqeblu 81 herë mes viteve 2014 dhe 2017.

Në fund ai sqaroi: “Është çështje mentaliteti, unë jam parizien. Nuk mund t’ia lejoja vetes të firmosja për OM. Je më i lumturi kur fiton një ‘Classico’, kur bërtet ‘Allez Paris’! Nuk mund të bëja të kundërtën në ‘Classico’. Çfarë kuptimi do të kishte?” Ndërkohë, Aurier ende shpreson të gjejë një sfidë të re dhe është në pritje të një mundësie.

The post Aurier, zemër PSG, kategorik: Unë te Marseille? Kurrë në jetë, më mirë të mos haja fare appeared first on Telesport.