Auditimi: Shkelje ligjore dhe devijime financiare qindra mijëra euro në kontratën e mirëmbajtjes së deponive sanitare nga KMDK

Në raportin e fundit të Zyrës Kombëtare të Auditimit, u evidentua se Kompania për Menaxhimin e Deponive në Kosovë (KMDK) nuk ka arritur të përmbushë kërkesat ligjore për menaxhimin e kontratës së mirëmbajtjes dhe riparimit të infrastrukturës në deponitë sanitare dhe stacionet e transferit. Auditimi zbuloi se Kompania ka tejkaluar sasitë e parashikuara në kontratë mbi limitin ligjor prej 30% në disa pozicione, ndërsa në 46 pozicione të tjera nuk ka realizuar fare furnizimet e parashikuara. Këto shkelje kanë çuar në një shpenzim të tepërt prej 958,189 euro, duke tejkaluar kufirin ligjor të lejuar Nëse do të kishte zbatuar ofertën e dytë të përgjegjshme, shpenzimet do të ishin më të ulëta për 845 mijë euro, duke treguar se ka pasur devijime të konsiderueshme në realizimin e kontratës. Në raport gjithashtu u përmend mungesa e dokumentimit dhe mospërputhjet e konsiderueshme në raportet e faturuara dhe ato të dokumentuara për punën e zhavorrave dhe orët e punës së makinerive, shkruan Demokracia.com.

Zyra Kombëtare e Auditimit ka kryer auditimin e pajtueshmërisë Menaxhimi i kontratës “Mirëmbajtja dhe riparimi i infrastrukturës në Deponitë Sanitare dhe Stacionet e Transferit” në Kompanin për Menaxhimin e Deponive në Kosovë (KMDK-së)››. Objektivi i këtij auditimi është të vlerësohet nëse Kompania ka bërë menaxhimin e kontratës sipas kërkesave të përcaktuara me Rregulla dhe Udhëzuesin Operativ për Prokurimin Publik të datës 01.02.2021 të KRPP-së dhe Rregulloreve të KMDK-së, për menaxhimin e mbeturinave në deponitë sanitare dhe stacionet e transferit. Kompania me 30.09.2021 kishte lidhur kontratë publike kornizë “Mirëmbajtja dhe riparimi i infrastrukturës në Deponitë Sanitare dhe Stacionet e Transferit të KMDK-së me vlerë totale indikative 1,467,753€ për periudhën 3 vjeçare (36 muaj). Çka do të thotë se validiteti i ka përfunduar në shtator 2024

Ky auditim përfshinë procesin e menaxhimit të kontratës “Mirëmbajtja dhe riparimi i infrastrukturës në Deponitë Sanitare dhe Stacionet e Transferit të KMDK-së” për periudhën Shtator 2021 deri në Qershor 2023 duke u bazuar në pagesat e realizuara. Subjekt i këtij auditimi ishte KMDK me njësitë vartëse të saj.

Konkluzioni i auditimit është se Kompania nuk ka arritur të bëj menaxhimin e kontratës sipas kërkesave ligjore. Për më shumë,sipas ZKA  devijimi nga kushtet e kontratës është material për faktin se: Në tetë (8) pozicione lidhur me menaxhimin e kontratës, sasitë e parashikuara me kontratën kornizë ishin tejkaluar mbi limitin e lejuar ligjor prej 30% ndërkohë që 46 pozicione tjera nuk ishin realizuarfare. Pra, tejkalimet e sasive të kontraktuara për pozicione të caktuara ishin me një kosto shtesë prej 958,189 euro, mbi pragun e lejuar prej 30%. Tejkalimet sasiore të këtyre pozicioneve ishin prej 60% deri në 3,900%. Vlera e sasive të kontraktuara ishte 304 mijë euro ndërsa vlera e sasive që janë shpenzuar për këto pozicione ishte 1.3 milion euro.

“Bazuar në analizat tona konsiderojmë që kontrata kishte ndryshime thelbësore sa i përket sasive.

Prandaj, nëse krahasojmë furnizimet e realizuara të kësaj kontrate me çmimet e ofertës së dytë të përgjegjshme të kësaj procedure rezulton që kostot e furnizimeve të tilla do të ishin më të ulëta për 845 mijë euro”, ka thënë auditori.

Po sipas auditorit, realizimi i kontratës kornizë për Mirëmbajtjen e Deponive Sanitare dhe Stacioneve të Transferit kishte mungesë të dokumentimit dhe mospërputhje të konsiderueshme midis sasive të faturuara dhe atyre të dokumentuara për zhavorr dhe orët e punës së makinerive. Pjesë të konsiderueshme të punëve dhe furnizimeve të pranuara mungojnë në dokumentacion, duke rezultuar në vlera të faturuara të pajustifikuara.

“Emërimi i të njëjtit zyrtar si iniciues i procedurës së prokurimit, hartues i paramasës dhe menaxher i ontratës për kontratën kornizë të mirëmbajtjes së deponive sanitare bie në ndesh me parimet e ndarjes \së detyrave siç përcaktohen me RRUOPP. Në 11 raste kemi vërejtur se raportet e pranimit ishin nënshkruar nga personeli i kompanisë mirëpo kompania nuk ka arritur të na ofroj dëshmi se nga kush janë themeluar ato komisione të pranimit. Pra, pagesat janë certifikuar për punë të pranuara nga komisione që nuk janë caktuar me vendim tëKryeshefit Ekzekutiv. Për të eliminuar mangësitë e identifikuara, kërkohen veprime konkrete dhe për këtë kemi dhënë katër (4) rekomandime për Menaxhmentin e Kompanisë të cilat i gjeni në kapitullin III rekomandimet”.

Mbetet të shihet nëse kjo kontratë do të përfundojë në prokurori si tejet e dëmshme për buxhetin e KMDK-së.

Kryeshef në kompanie është Dardan Velija, një i afërm me VV-në.

Më poshtë mund të shihni gjetjet e auditorit lidhur më këtë kontratë. /Demokracia.com/