Audio-incizimi: Vudi Xhymshiti e quan “fëmijë” Ramush Haradinajn, flet për ish-zyrtarin e lartë të ShBA-ve

Një audio-incizim që ka rrjedhur në rrjetet sociale e tregon Vudi Xhymshitin, fotoreporterin dhe propagandistin e afërt me pushtetin e Lëvizjes Vetëvendosje, duke trilluar histori për kryetarin e AAK-së, Ramush Haradinajn dhe ish-zyrtarin amerikan për Ballkanin, Gabriel Escobar.

Xhymshiti tregon një ngjarje lidhur me një paraqitje të Haradinajt me Escobarin, ish të Dërguarin e Posaçëm të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, sipas audio-incizimit të publikuar në platformat sociale së fundmi.

Nuk dihet kur është incizuar ky material.

Audio-incizimi e tregon Xhymshitin, që prej kohësh është vënë në shërbim gati nënshtrues ndaj propagandës pro pushtetit në kanalet online, duke e portretizuar Haradinajn si “fëmijë” të cilin “Escobari e kishte kapë prej duarsh”.

“Me Escobarin.. e kish kapë kap Ramush Haradinajn për dorë si nje fëmijë i vogël i klasës së parë edhe e kish qit’ në konferencë”, dëgjohet duke thënë Xhymshiti.

“Edhe thojke nëse Kurti nuk pajtohet me maru Asociacionin që e ka nënshkru Hashim Thaçi edhe Isa Mustafa..”

Hiç më larg se para dy vitesh, Departamenti i Shtetit i SHBA-ve e kishte demantuar Vudi Xhymshitin për plasimin e një informate të rreme për kinse shkarkimin e Gabriel Escobar nga pozita e të Dërguarit të Posaçëm për Ballkanin Perëndimor.

Xhymshiti kishte gënjyer për shkarkimin e Escobarit, duke pretenduar se ai ishte larguar nga pozita për shkak të konfliktit të interesit.