Atë që s’po mund ta bëjnë Osmani, Kurti e Gërvalla, e bëri Pacolli, i vetëm mundi Serbinë kundër njohjes së Kosovës nga Kenia

Një letër ‘konfidenciale’ nga Kenia në kutinë e mesazheve të Behxhet Pacollit – në vitin 2023 – pati bërë që Serbia të përvishte mëngët e ndante mënjanë ca para, si pazar, për të (para)ndaluar njohjen e Kosovës nga shteti më i madh afrikan, Kenia.

Aleksandar Vuçiq dërgoi vetë bashkëshorten e tij si emisare speciale – dhe presidenciale – në Keni, me një mijë e një lajka dhe premtime për ndihmë financiare dhe humanitare në këtë shtet të madh afrikan, me një shpagim të vetëm: të mos njihet Kosova.

Publicitet dhe imazh i madh u investua në Tamara Vuçiq, porsikur një person estrade, që ajo, si Zonjë e Parë e shtetit serb, po e bënte Keninë të tërhiqet prapa nga ajo letër ç’kishte dërguar Pacollit, se njohja e Kosovës, do të materializohej hera-herës.

Tamara Vuçiq në konferencë shtypi të përbashkët me kryediplomatin keniez, u zotua për ndihmë financiare – si shenjë “e vullnetit të mirë” të Aleksandar Vuçiq – prej 150 mijë dollarësh për viktimat e vërshimeve në Keni, si dhe plane të vizituar getot Mukuru në Nairobi, raporton Nacionale.

Siç raportonte “Kenia Foreign Policy”, ramifikimet kishin ardhur kur ky shtet i kishte komunikuar Behxhet Pacollit – do të thotë, jo qarqeve zyrtare shtetërore kosovare – se pasaportat shtetërore kosovare i kishin njohur.

Krejt kjo u kristalizua kur Pacolli, në duart e veta, pranoi zyrtarisht njohjen nga Kenia.

Kjo njohje e një rëndësie të madhe për vendin, kur ndërkombëtarisht ka mbetur në ‘limbo’ qe pesë vite pa njohje nga e fundit prej Izraelit – shënoi ballinat ndërkombëtare, dhe e rijetësoi dinamikën drejt konsolidimit përfundimtar global të shtetit.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani dhe Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ia përshkruan rolin Behxhet Pacollit, por jo edhe Ministrja në detyrë e Jashtme, Donika Gërvalla, e cila ia përshkroi vetes këtë meritë, duke u thirrur në një takim të 2021’ës me disa ish-liderë të këtij shteti.

Pacolli, në anën tjetër, e quajti mbajtje të fjalës së Kenisë të dhënë në vitin 2016, transmeton nacionale.

“Kjo fitore nuk erdhi rastësisht. Ajo është fryt i një pune të gjatë, të palodhur, me përkushtim e sakrificë. Që nga viti 2009, unë personalisht kam lobuar dhe kam biseduar me autoritetet keniane për ta bërë këtë ditë realitet. Kam shkuar derë më derë, zyrë më zyrë, me vetëm një qëllim – të bëj të njohur zërin dhe të drejtën e popullit të Kosovës për liri, pavarësi dhe sovranitet”, shkroi ai.

“Presidenti William Ruto, i qëndroi fjalës së dhënë në vitin 2016. Ai e vizitoi Kosovën në vitin 2019 dhe e ndjeu fuqinë dhe vendosmërinë e popullit tonë. Në vitin 2023, gjatë vizitës time në Nairobi, ai e bëri hapin e parë duke njohur pasaportat tona. Sot, në një ceremoni madhështore, ai e tha me zë të lartë: Kosova është shtet i njohur nga Kenia!
“, shkroi Pacolli.

Nga Serbia i reaguan Kenisë duke e quajtur “precedent për keqardhje” që përkeqëson raçportet mes Beogradit dhe Neirubit “tradicionalisht miqësore”.

Siç raportonin mediat atje, Serbia thuhet të ketë paralajmëruar se do të marrë të gjitha masat e nevojshme diplomatike dhe politike “në përgjigje të këtij akti të papranueshëm dhe jomiqësor”.