Atalanta ka marrë një pikë shumë të madhe ndaj Juventus në Torino, ndeshje e vlefshme për javën e 37-të të Serisë A, e cila përfundoi me barazim 1 – 1, raporton Fokusi.info.
Skuadra e Gasperini-t ka dominuar takimin e luajtur në “Allianz Stadium”, por nuk është treguar e saktë në finalizimin e aksioneve. Goli që ka zhbllokuar sfidën është shënuar në minutën e 33-të nga Josip Iliçiç, për rezultatin 0 – 1.
Kur mendohej se Atalanta do të merr tri pikët, ka ardhur goli i mrekullueshëm i Mario Mandzukiç në minutën e 80-të që barazoi rezultatin në 1 – 1, duke shmangur humbjen Allegri në ndeshjen e tij të fundit si trajneri i “Zonjës” në “Allianz Stadium”. Bardhezinjtë e kanë mbyllur takimin me dhjetë lojtarë pas kartonit të kuq direkt të marrë nga Bernardeschi për një ndërhyrje të rrezikshme.
Atalanta, gjithsesi, mund të gëzohet për faktin se është ngjitur në vendin e tretë të renditjes dhe ka hedhur një hap tjetër të rëndësishëm drejt kualifikimit në Champions. Një kualifikim që do të kërkojë ta sigurojë në ndeshjen e fundit të kampionatit, që do ta luajë kundër Sassuolo-s.
Ndërkohë, kampionët e Italisë po e mbyllin në mënyrën më të keqe sezonin, duke parë se nuk ka fituar asnjë nga katër ndeshjet e fundit të kampionatit: 3 barazime, 1 humbje.
https://streamable.com/y419l