Akademia Serbe e Shkencave dhe Arteve (ASSHA) dje ka kumtuar se “shpreh shqetësimin më të madh për rrezikun që, me ndryshimin e paralajmëruar të statusit juridik të, siç e quajnë ata, “Universitetit në Prishtinë, me seli të përkohshme në Mitrovicën e Kosovës”, mund të rrezikohen në mënyrë thelbësore kushtet e punës së të punësuarve në këtë institucion të pavarur të arsimit të lartë, dhe kështu të vihet në pikëpyetje edhe vazhdimi i studimeve për më shumë se nëntë mijë studentë”, dhe ka kërkuar nga qeveria serbe të reagojë, transmeton Paparaci.
“Duke shprehur solidaritet të plotë me studentët dhe pedagogët e këtij universiteti, i bëjmë thirrje ministrive përkatëse të Qeverisë së Republikës së Serbisë – Ministrisë së Arsimit dhe Ministrisë së Shkencës, Zhvillimit Teknologjik dhe Inovacionit – që sa më shpejt të ndërmarrin hapat e nevojshëm për të siguruar kushtet për vazhdimin e pandërprerë të veprimtarive arsimore dhe shkencore të të gjitha institucioneve të arsimit të lartë në përbërje të universitetit dhe për t’u garantuar studentëve të tyre të drejtën për të vazhduar studimet dhe për të marrë diploma të vlefshme”, pretendohet në deklaratën e Komitetit Akademik për Arsimin e Lartë të ASSHA-s.
Siç pas tyre, “e ardhmja e këtij universiteti ilegal ka të bëjë me të gjithë sektorin serb universitar, prandaj Qeveria e Serbisë duhet të marrë të gjitha vendimet e mëtejshme në konsultim të plotë me komunitetin akademik”.
“Në këtë kontekst, dhe nga dëshira e sinqertë për të kontribuar në mbrojtjen e të drejtës për punë dhe arsim të pedagogëve dhe studentëve të “Universitetit në Prishtinë, me seli të përkohshme në Mitrovicën e Kosovës”, Komiteti Akademik për Arsimin e Lartë i ASSHA është i gatshëm t’i ofrojë gjithë ndihmën akademike Qeverisë së Serbisë”, pretendohen në mesazhin e Akademisë Serbe të Shkencave dhe Arteve./Paparaci.com










