Komisioni Qendror i Zgjedhjeve nuk ka bërë më asnjë përditësim të të dhënave për rezultatin e numërimit të votave nga përfaqësitë diplomatike që nga ora 18:56 të së enjtes.
Sipas faqes zyrtare, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka bërë të ditur se pas numërimit të mbi 67 për qind të votave nga përfaqësitë diplomatike, Lëvizja Vetëvendosje prin me 81.97 për qind apo 5.581 vota.
Në vendin e dytë është Lidhja Demokratike e Kosovës me 511 vota, apo 7.50 për qind.
Partia Demokratike e Kosovës ka fituar 6.14 për qind apo 418 vota, pasuar nga koalicioni Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Nisma Socialdemokrate, Konservatorët e Intelektualët me 1.50 për qind apo 102 vota.
Më 8 shkurt, për herë të parë Kosova organizoi votim fizik të pjesëtarëve të mërgatës në përfaqësitë diplomatike të shtetit në botë. Votimet u mbajtën në 43 vendvotime në 16 ambasada dhe 14 konsullata të Kosovës, në 19 shtete të ndryshme të botës.
Pjesëmarrja në votimet në ambasada dhe konsullatat e Kosovës nëpër botë ishte 73.56 për qind, përkatësisht nga 20.324 persona të regjistruar për të votuar në përfaqësitë diplomatike, 15.552 prej tyre e shfrytëzuan këtë të drejtë.