Asnjë parti nuk ndryshon qëndrim, bllokada e Kuvendit vazhdon

Ligjvënësit e legjislaturës së nëntë me radhë sërish e kundërshtuan kandidaturën e deputetes Albulena Haxhiu për kryeparlamentare. E në këtë vazhdim të seancës konstituive ajo mori tri vota më pak sesa në pesë rundet e kaluara të votimit. Pas ndërprerjes së seancës partitë deri dje në pushtet dhe në opozitë kanë kritikuar njëra-tjetrën për bllokadën e shkaktuar.

 

Në llogaritë bankare shumicës së deputetëve nesër në mëngjes iu del paga e plotë, fiks 1807 euro.

Për një muaj punë e gati dy mijë euro pagë, ata nuk u lodhën shumë: Tetë herë udhëtuan deri në Kuvend, qëndruan 1 deri në 2 orë më së shumti, dolën nga salla e Kuvendit duke e akuzuar njëri tjetrin për bllokim të betimit të deputetëve, e tash e 6 seanca pengesë është bërë emri i Albulena Haxhiut.

Vetëvendosje as nuk i ka votat e as nuk po lëshon pe, nuk po e ndërron kandidaten.

Edhe partitë tjera nuk po lëvizin nga vendi.

Radhitjen në konferenca për media por edhe qëndrimet gazetarët dhe ata që e i përcjellin online i kanë mësuar përmendësh.

Si zakonisht i pari e nisi Kreu i PDK-së, që Vetëvendosjes ia përcolli tri porosi.

“E para demokracia funksionon me shumicë, jo me imponim. E dyta institucionet janë të popullit nuk janë të asnjë partie politike të veçantë dhe e treta duhet ta kuptojnë të gjithë që koha e sundimit një partiak dhe monizmit ka përfunduar”, ka thënë Memli Krasniqi.

Krasniqi thotë se Vetëvendosjes ia njohin të drejtën për postin e Kryekuvendarit, por nuk ia pranojnë imponimin dhe presionin që votat t’i marrin me zor.

Deputetët do të paguhen rreth 750 euro për 39 minuta punë

Edhe nga radhët e LDK-së, përsëri foli deputetja Hykmete Bajrami. Qëndrimet sigurisht të njëjta i ka.

“Kuvendi me insistimin për kandidaturën e njëanshme është shndërruar tani më në një cirk. Është hera e gjashtë që Znj. Haxhiu kësaj radhe morri vetëm 54 vota, dhe ata insistojnë në këtë kandidaturë duke u mbledhur çdo 48 orë”, ka thënë Bajrami.

Vetëvendosja e cila po e do postin e Kryetarit por sot nuk i pati më shumë se 54 vota doli me një kërkesë që e cilësuan ofertë, ose konsensus politik.

LDK, PDK e AAK të propozojnë emrat e nënkryetarëve dhe t’i votojnë së bashku në pako me Albulena Haxhiun.

“Pra ka akuza që po kërkohet të votohet me zor, përkundrazi ne kemi dëgjuar që deputetë individual tashmë kanë shprehur vullnetin, vetëdëshirën e tyre që të dalim nga kjo situatë, pra nga opozita po flas që të votojnë për që të tejkalohet kjo bllokadë. Megjithatë jaën qëndrime politike të subjekteve politike që nuk e lejojnë që të ndahen nga grupi parlamentar”, ka thënë deputeti i VV-së, Hekruan Murati.

E ish-partnerët e koalicionit, AAK dhe NISMA rrugët i kanë ndarë pas zgjedhjeve, njëjtë edhe rrugëtimin në Kuvend.

Ndaras hyjnë, ndaras dalin, e kanë qëndrime të ndara, ndonëse sot Limaj la të nënkuptohet se nuk kanë marrëveshje me Kurtin.

“Qëndrimi s’ka ndryshuar dhe besoj që LVV-ja e ka mundësinë me përfundu këtë përgjegjësi pasi i kemi dhënë opsion për kandidatura unifikese të tjera. Shpresoj që në seancën e ardhshme të propozojnë një kandidaturë unifikuese…”, ka thënë kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj.

“Gjithmonë këtu në Parlamentin e Kosovës, kur partitë kanë shku me e votu kryetarin e Kuvendit kanë shku me një koalicion të shumicës. Dhe këtu është çështja që partia, partia e parë nuk e ka shumicën. Duhet ta ndërtojë shumicën edhe për paralament edhe për Qeveri”, ka thënë kryetari i Nismës, Fatmir Limaj.

Seanca e 9-të për zgjedhjen e Kryetarit të Kuvendit, mbahet pas 48 orësh, të enjten, nga ora 10 në mëngjes.

Rashiti: Mos zgjedhja e kryetarit të Kuvendit mungesë e maturisë politike