Asnjë kabinë e rezervuar për të në “Bernabeu”, Mourinho e ndoqi Real Madrid-Benfica nga autobusi

Duket se do të ishte në një nga kabinat e rezervuara të “Santiago Bernabeu”, por nuk ndodhi kështu. Mungesa e José Mourinho nuk kaloi pa u vënë re. Trajneri portugez, i pezulluar, nuk mundi ta ndiqte nga tribunat kthimin e “play off”-it të Champions League mes Real Madridit dhe Benfica, e fituar mbrëmë 2-1 nga madrilenët. “Special One” gjeti një mënyrë të pazakontë për ta ndjekur ndeshjen.

Sipas “El Chiringuito de Jugones”, Mourinho e ndoqi sfidën direkt nga autobusi i Benfica, i parkuar brenda garazhit të stadiumit “Santiago Bernabéu”. Një observator i improvizuar, larg kamerave dhe reflektorëve, në një atmosferë që rreth stadiumit përshkruhej si mjaft e tensionuar.

Një skenë kurioze që nxiti diskutime, pasi ish-trajneri i “merenguesve” mbeti në periferi të kësaj ndeshjeje vendimtare dhe nuk mundi ta përjetonte atmosferën e një sfide të madhe në stadiumin që e njeh mirë. Në fushë, skuadra e bardhë, e mbështetur nga avantazhi i marrë në ndeshjen e parë në Lisbonë, tregoi më shumë efikasitet, duke penguar përpjekjet e Benfica nën drejtimin e zv.trajnerit në stol.

The post Asnjë kabinë e rezervuar për të në “Bernabeu”, Mourinho e ndoqi Real Madrid-Benfica nga autobusi appeared first on Telesport.