Lëvizja Vetëvendosje ende nuk ka nisur mbledhjen e nënshkrimeve dhe nuk e ka ndarë mendjen se në cilën datë do ta thërrasë seancën për votimin e Glauk Konjufcës, si i mandatuar për kryeministër. Deputeti Mefail Bajqinovci thotë se për zgjedhje janë të gatshëm në cilën do datë që caktohen ato, i bën thirrje ish-bllokut opozitar që ta votojnë qeverinë e udhëhequr nga Lëvizja Vetëvendosje, në mënyrë që të tejkalohen sfidat që vlerëson se i ka përpara vendi.
Pas balotazhit të së dielës pritet të mbahet seanca për formimin e Qeverisë nga mandatari i dytë nga Vetëvendosje, Galuk Konjufca.
Megjithëse, në një intervistë për TV Dukagjini, deputeti Mefail Bajqinovci tha se nuk dihet as data e seancës e as nuk ka mbledhje të nënshkrimeve, meqenëse ende kanë kohë në dispozicion.
“E bëmë nominimin e dytë në këtë rast të z. Konjufcës që opozita të lëshojë rrugë dhe të mos e rrezikojë buxhetin e vendit sepse rreziku më i madh dhe më potencial është që të mbesim pa buxhet në shkurt mund të mbesin mbi 80 mijë nga administrat publike shtetërore. Unë besoj se opozita do të reflektojë ashtu siç e kemi bërë e kemi lëshu pe e në këtë rast njeriun më të votuar nuk e kemi kandidat për një Qeveri kalimtare që buxheti i Kosovës të mos e rrezikojë shtetin dhe të gjithë administratën shtetërore”, deklaroi Bajqinovci.
Bajqinovci e komentoi edhe thirrjet e ish-bllokut opozitar për zgjedhje të reja e refuzim të votës për Lëvizjen Vetëvendosje.
Sipas tij, veçanërisht qëndrimet e LDK-së janë kontradiktore, dhe nuk është vonë për qeveri kalimtare.
“Për mos me paragjyku, pra ata gjithmonë e kanë një problem, ose thonë veres nuk bën ose dimrit nuk bën, ose për vitin e ri ose për bajram nuk bën, le te votojnë qeverisjen Kurti-Konjufca dhe pastaj zgjedhjet mund t’i në mars ose në prill, pasi ata janë të shqetësuar se mund të jetë mërgata këtu. Unë mendoj që këto janë bllofe të opozitës sepse ata e dijnë se nuk do të kalojnë mirë në zgjedhjet nacionale”, tha Bajqinovci.
Bajqinovci thotë se nuk është në dijeni nëse ka takime me deputetë ose parti politike për t’i bindur për të votuar pro formimit të qeverisë.
Deri më tani asnjë subjekt politik, publikisht nuk ka deklaruar se do ta votojë Glauk Konjufcën për kryeministër.
Sipas afateve Kushtetuese, Lëvizja Vetëvendosje ka kohë deri më 19 nëntor që ta thërras seancën dhe nëse votimi nuk dështon, Presidentja i shpall zgjedhjet e parakohshme që duhet të mbahen jo më larg se 40 ditë nga dështimi i krijimit të Qeverisë./dukagjini.com











