“Asnjë cent ma shumë”, propozohet bojkot masiv të pagesës së rrymës

Auron Doli nga grupi “Asnjë cent ma shumë” që kundërshton rritjen e çmimit të energjisë elektrike, ka deklaruar se çmimi aktual i energjisë elektrike është i lart, derisa ka bërë thirrje që ai të ulet, e jo të ngrihet, siç është paralajmëruar.

Ai ka thënë të hënën në “Interaktiv” se duhet të shihet si opsion bojkoti i plotë i qytetarëve lidhur me pagesën e energjisë elektrike, si formë proteste ndaj Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE).

“Si qytetarë do të bëjmë maksimalisht që kjo të mos ndodhë (rritja e çmimeve të rrymës v.j.). Aksionet do të shumëfishohen, do të bëhen dita-ditës edhe më radikale. Do të bëjmë protesta, por edhe mendoj që duhet të ketë edhe mënyra më kreative dhe alternative të qasjes. Për shembull, bojkoti i pagesës së rrymës do të funksiononte nëse do të kishte organizim të madh të qytetarëve”, ka deklaruar Doli.

Sipas tij, qytetarët s’mund të ofrojnë zgjidhje, por institucionet duhet t’i japin ato që energjia elektrike të mos shtrenjtohet, derisa ka shtuar se shtrenjtimi do të ndikojë edhe në produktet bazë.

“Brenda pesë viteve kemi pasur varfërim të qytetarit. Shtrenjtimi i rrymës elektrike ka shkaktuar efekt zinxhiror te rritja e çmimeve të produkteve bazë. Me një pagë 500 euro, në 2021-n ka paguar për ushqim 30 për qind të pagës së vet. Në 2023-n, 60 për qind. 300 euro sot i harxhon për ushqim. Tek e fundit, duhet të shihet kjo…Vaji nga 1.55 euro ka shkuar në 2.67 euro. Ka rritje zinxhirore të ushqimeve nga rritja e rrymës”, ka thënë ai.