Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtesa deri tani nuk ka pranuar asnjë ankesë në lidhje me rezultatet përfundimtare që u shpallën dje.
Kështu kanë thënë për express nga PZAP.
“Lidhur me pyetjet e juaja ju njoftojmë se deri më tani për rezulatatet përfundimtare, PZAP nuk ka pranuar asnjë ankesë.”
Kreu i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi, dje ka bërë shpalljen e rezultateve përfundimtare të zgjedhjeve të 9 shkurtit, i cili është miratuar me 10 vota për.
Radoniqi ka bërë sqarim se shpallja e këtyre rezultateve është bërë pas marrjes së dritës së gjelbër nga PZAP dhe Gjykata Supreme dhe ka thënë se pavarësisht problemeve dhe vonesave, në asnjë mënyrë s’është cënuar integriteti i zgjedhjeve.
Radoniqi ka treguar se më 9 shkurt kanë votuar në total 966 mijë e 283 apo 46, 54 %.
Nga këto vota, LVV me Albin Kurtin ka marrë 396 mijë e 387 vota apo 42.30 %, PDK me kandidat për kryeministër Bedri Hamzën ka marrë 196 mijë e 474 vota apo 20.95 %, LDK me Lumir Abdixhikun ka marrë gjithsejtë 171 mijë e 357 vota apo 18.27 %, AAK-NISMA ka marrë 66 mijë e 256 vota apo 7.06 % dhe Lista Serbe ka marrë 39 mijë e 915 vota apo 4.26 %.
Radoniqi, ka treguar gjithashtu se partitë politike kanë 48 orë afat për t’u ankuar rreth rezultatit të shpallur e të miratuar sot me dhjetë vota për në KQZ. Afati 48 orësh fillon nga ora 17:00 e ditës së sotme, ka sqaruar Radoniqi të shtunën.