Asllani: Të “pushtojmë” Europën/ Ylli kuqezi flet pasi Inter nuk fitoi dot titullin në Itali

Besimi ndaj tij erdhi në rritje sa më shumë afrohej fundi.

Kristian Asllani ishte titullar për Interin, në ndeshjen përmbyllëse të Serisë A, atë të fituar 2-0 në fushën e Komos, ndonëse suksesi nuk solli aspak lumtur.

Titullin kampion e fitoi Napoli i Rrahmanit, dhe Asllani me shokë padyshim që u dëshpëruan që humbën një “skudeto”, për të cilin ishin favoritë.

Në përfundim, drejtuesit zikaltër zgodhën pikërisht mesfushorin kuqezi për të folur dhe ai hodhi sytë drejt finales së Championsit.

“E përgatitëm mirë ndeshjen sepse e dinim se duhej të zhvillonim një lojë shumë të mirë këtu për të fituar dhe për të shpresuar. Sigurisht ka dëshpërim, por siç e the edhe ti, tani vjen ndeshja më e rëndësishme e sezonit dhe duhet ta përgatisim mirë dhe të shkojmë për fitore”.

Finalja e Championsit luhet të shtunën që vjen në Mynih ndaj Paris SG.

“Duhet që gjithçka ta kthejmë në energji pozitivë sepse ndoshta është trofeu më I rëndësishëm nga të gjithë, pra duhet të shkojmë në finale dhe të mos jemi të trishtuar si tani, por të bëjmë gjithçka për të qenë të lumtur. I falenderoj shumë tifozët tanë që e kuptuan situatën dhe që na mbështetën deri në fund. Jemi me fat që kemi tifozë të tillë”.

Asllani mbylli sezonin e katërt tek Interi, duke vendosur rekordin e aktivizimit me 1570 minuta në kampionat, Champions, Kupën e Italisë dhe në Superkupë, duke shënuar 3 gola e shërbyer dy asistë, gjithashtu rekord personal, por gjithmonë me dyshimin nëse do ta veshë fanelën zikaltër edhe edicionin e ardhshëm.