Në takimin e djeshëm të presidentes me liderët politikë është qartësuar se asnjë subjekt politik nuk është në gjendje që të krijojë shumicën parlamentare në këtë legjislaturë.
Një gjë e tillë është konfirmuar nga të gjitha partitë dhe presidentja Vjosa Osmani.
Ndonëse shumica dërmuese e partive politike në këtë takim kanë kërkuar nga shefja e shtetit shpalljen e zgjedhjeve të parakohshme si rrugë e vetme për daljen nga ngërçi aktual politik, Osmani nuk po e bën një gjë të tillë.
Gatishmëria e saj për të pritur edhe disa ditë liderin e VV-së, Albin Kurti, nëse ky i fundit ofron një mandatar të dytë pwr formimin e qeverisw sw re, po shihet me dyshime.
Përfaqësuesit e partive politike kanë vlerësuar se vonesa e shpalljes së zgjedhjeve është në shërbim të Albin Kurtit.
Anëtari i Kryesisë së PDK-së, Betim Gjoshi, ka thënë se presidentja nuk ka nevojë të mandatojë prapë një kandidat të VV-së.
“Presidentja nuk ka nevojë që ta mandatojë prapë një subjekt politik që para disa ditësh u vërtetua se është larg 61-shit të domosdoshëm për të formuar Qeverinë, por duhet t’i shpall zgjedhjet e reja. Çdo veprim tjetër, përveç shpalljes së zgjedhjeve, është shërbim për agjendën politike të një uzurpatori që ka më shumë se 200 ditë që po qëndron jashtligjshëm në Qeveri”, ka shkruar ai në profilin e tij në “Facebook”, duke treguar se kur duhet të shpallen zgjedhjet.
“Shpallja sa më shpejt e zgjedhjeve, më së largu javën e parë të nëntorit, është vendimi i duhur që i jep vendit Qeveri në janarin e vitit 2026 dhe garanton funksionimin e institucioneve shtetërore”, ka shkruar ai.
Edhe vet presidentja Vjosa Osmani, pas takimit, se askush prej partive nuk e ka shumicën.
Megjithatë, ajo ka thënë se do të pres deri më 5 nëntor.
“Unë ju kam kërkuar shumicë, ajo duhet të kërkohet sipas Kushtetueses. Mirëpo sot nuk ishte askush u gatshëm që të garantoj shumicën, megjithatë jemi ende brenda afatit kushtetuese për të pritur një gjë të tillë deri me datën 5 nëntor. Më 5 nëntor pastaj e dimë më qarët se a do të kemi mandat të dytë apo jo”, ka thënë Osmani.
Çka thanë liderët e partive politike?
Liderët e partive më të madhe opozitare kanë bërë me dije se në takim është qartësuar se askush nuk e ka shumicën.
Pas takimit, ata kanë thënë se rruga e vetme është shpallja e zgjedhjeve të reja.
Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, ka thënë se katër kryetarët e partive shqiptare dhe disa të minoriteteve kanë treguar se nuk janë pjesë e asnjë shumice.
Ai ka thënë se kjo do të duhej të ishte e mjaftueshme për presidenten Osmani për t`i shpallur zgjedhjet e reja.
“Nga ky takim u bë e qartë se askush nuk mundet me e kriju shumicën e re parlamentare, bazuar në legjislaturën aktuale. Se parku 52 deputetë të përfaqësuar nga katër kryetarë të partive shqiptare dhe disa nga parti minoritare edhe në takim e kanë bërë të qarët se nuk janë pjesë e asnjë shumice, gjë që matematikisht e bënë të pamundur arritjen e shumicës se re parlamentare. Besoj se kjo do të duhej të ishte e mjaftueshme që sot edhe presidentja e vendit të vinte në një konkuldim të tillë dhe pastaj të vepron në drejtim të shpalljes së zgjedhjeve, të cilët tashmë janë të imponuar”, ka thënë Krasniqi.
Edhe kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka thënë se në takim me presidenten u pa që nuk ka shumicë parlamentare.
Ai ka thënë se tani i takon presidentes që të caktojë datën për zgjedhjet e reja.
“Në këtë takim u bë e qartë edhe një herë nga përfaqësuesit e partive politike që nuk ka shumicë parlamentare, rrjedhimisht tani i takon presidentes deri te marruken, me datë 5, të përcaktoj se a ka shumicë a po nuk ka shumicë”, ka thënë Abdixhiku.
Edhe për kryetarin e AAK-së, Ramush Haradinaj, zgjidhja e vetme janë zgjedhjet.
“Në takimin e sotëm Presidentja kërkoi nga ne që të sqarojmë se a e kemi shumicën parlamentare për qeveri dhe kërkoi nga ne edhe mundësinë që të gjinden zgjidhje të përkohshme për çështjen e buxhetit dhe çështjen e panit të rritjes me BE-në. Besoj që në realitetin tonë, po ndodh ajo që tashmë jemi bë gati për të pra po ndodhin zgjedhje parlamentare”, ka thënë Haradinaj.










