ASK: Kosova me rritje të ndjeshme të turistëve

Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) ka publikuar Statistikat e Hotelerisë dhe Turizmit për vitin 2024, ku vihet në pah një rritje e ndjeshme e numrit të vizitorëve në krahasim me një vit më parë.

Sipas të dhënave zyrtare, në vitin 2024 në Kosovë janë regjistruar gjithsej 698.068 vizitorë, nga të cilët 39.3% ishin vendorë, ndërsa 60.6% ishin vizitorë të huaj.

Kjo përbën një rritje prej 18.3% të vizitorëve të jashtëm në raport me vitin 2023. Numri i net-qëndrimeve gjithsej ka arritur në 1.522.890, me një pjesëmarrje më të madhe nga vizitorët e huaj (54.3%).

Në aspektin rajonal, Rajoni i Prishtinës ka pasur numrin më të madh të vizitorëve vendorë, me 205.405, ndërsa Rajoni i Pejës ka regjistruar numrin më të lartë të net-qëndrimeve, me 591.673.

Të dhënat tregojnë se vizitorët e huaj kanë ardhur kryesisht nga Shqipëria, Gjermania, Zvicra dhe Turqia, duke reflektuar lidhjet e forta kulturore dhe diasporike me këto vende.

Në total, nga pikat kufitare janë regjistruar 6.938.227 hyrje të vizitorëve të huaj në territorin e Republikës së Kosovës gjatë periudhës janar–dhjetor 2024.

Për sa i përket qytetarëve të Kosovës, ASK njofton se 484.949 persona kanë realizuar të paktën një udhëtim me net-qëndrim gjatë vitit, brenda ose jashtë vendit.

“Të dhënat e më poshtme janë të grumbulluara nga pikat kufitare, ku numri total i vizitorëve të jashtëm që kanë hyrë në territorin e Republikës së Kosovës gjatë periudhës Janar – Dhjetor 2024 ishte 6 938 227”, njofton ASK.

The post ASK: Kosova me rritje të ndjeshme të turistëve appeared first on Kosovapost.net.