Asamblistja e VV-së dhe ish-këshilltarja e Kurtit, gati për të ‘ateruar’ si drejtoreshë në Agjencinë e Privatizimit

Premtimi i VV-së para se të vinte në pushtet, ishte shuarja e Agjencisë Kosovare të Privatizimit.

Lëre që shuarja nuk ndodhi, por AKP-ja u kthye në ‘streh’ për të rehatuar militantë, aktivistë e njerëz të afërt me pushtetin.

Së fundmi, po synohet të ‘kapet’ edhe koka e Agjencisë Kosovar të Privatizimit.

Kjo pasi për drejtoreshë të AKP-së ka aplikuar dhe është në listë të ngushtë edh Nora Kelmendi, asambliste e VV-së në Prishtinë, dhe ish-këshilltare e kryeministrit Kurti.

Në dokumentin që e ka siguruar Nacionale, shihet se Nora Kelmendi është një prej kandidatëve që janë në listë për këtë pozitë.

Nora Kelmendi kishte qenë drejtoreshë e Kadastrës në komunën e Prishtinës në kohën kur komuna udhëhiqej nga Shpend Ahmeti.

Pas shkarkimit, Nora Kelmendin kryeministri Kurti e bëri këshilltare. Kjo u njoftua përmes një komunikate për media.

Pas kësaj, Kelmendi ishte emëruar drejtoreshë e Gjeodezisë në komunën e Prizrenit nga Mytaher Haskuka.

Ajo kishte qenë edhe shefe e kabinetit e ministrit të Shëndetësisë, Arben Vitia.

Aktualisht, ajo është asamblistë në komunën e Prishtinës.

E nëse Nora Kelmendi përzgjedhet në këtë pozitë, ajo aty do ta gjejë një tjetër emër të afërt me pushtetin.

Fjala është për Burim Lecin, ish-kolegun dhe shokun e shefit të kabinetit të Kurtit, Luan Dalipit.

Leci dhe Dalipi kohë përpara kishin punuar bashkë.

Nacionale kishte raportuar se ky konkurs ishte nën hetim nga Prokuroria Speciale.

Me datën 18 shtator vitit 2024, në Agjencinë Kosovare të Privatizimit arriti një dokument me rëndësi nga Policia e Kosovës. Të autorizuar prej Prokurorisë Speciale, hetuesit kanë kërkuar nga AKP-ja të gjitha dokumentet për konkursin e datës 19 janar 2024, për pozitën e zv/drejtorit ekzekutiv për operativë në Agjencinë Kosovare të Privatizimit.

Në këtë pozitë, është emëruar Burim Leci. Ky konkurs tash është nën llupën e Prokurorisë Speciale të Kosovës, për dyshimet se ka pasur ndikime, dhe gjithashtu pas dilemave për konflikt të interesit.

Gazeta Nacionale e ka siguruar dokumentin e Policisë së Kosovës drejtuar AKP-së. Aty, Prkuroria ka urdhëruar dosjen e kompletuar të konkursit për këtë pozitë, dhe gjithashtu vendimin mbi të cilin Burim Leci është caktuar në pozitën e zv/drejtorit ekzekutiv operativ në AKP.

Deri te nisja e hetimeve, ka ardhur pas dyshimeve se ka pasur ndikime dhe gjithashtu të konflikt të interesit. Kjo, bazuar në dy arsye.

Burim Leci, ‘dost’ i Luan Dalipit, shef i kabinetit të kryeministrit Kurti. Leci e Dalipi kishin punuar bashkë në kompaninë MDA. Për këtë rast, kishte raportuar gazeta Reporteri muaj më parë.

“Kandidati Burim Leci del ka qenë një bashkëpunëtor i afërm i shefit të kabinetit të kryeministrit Albin Kurti, Luan Dalipit, një nga themeluesit në kompaninë Management Development Associates (MDA) në Prishtinë. Ka mbajtur pozitën e udhëheqësit të Divizionit për Zhvillimin e Qeverisjes në MDA, në të njëjtën kur biznesi drejtohej nga vetë Dalipi, para se ky i fundit, në shkurt të 2020-ës ta braktiste kompaninë e themeluar nga vetë ai për Zyrën e Kryeministrit Albin Kurti”, thuhej në raportimin e Reporterit.

Dyshimet ishin shtuar edhe për konflikt të interesit. Kjo pasi Burim Leci, figuronte si drejtor menaxhues në “IP-KOS SH.P.K”, kompani që ka në pronësi pompa të derivateve “Ip Petrol”. E këta të fundi, kanë në shfrytëzim një numër të pompave të menaxhuara në Agjencinë Kosovare të Privatizimit.

Për këtë rast, edhe Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit kishte thënë për Reporterin, se nëse ky person përzgjedhet, atëherë ai duhet të kërkojë sqarime në mënyrë që ta ushtrojë funksionin e tij pa konflikt të interesit.

Këto dy aspekte, pritet të marrin rrugë pas nisjes së hetimeve nga Prokuroria Speciale e Kosovës.