Asamblisti i Lidhjes Demokratike të Kosovës në Kuvendin Komunal të Podujevës, Ekrem Rrahmani, ka reaguar pas incidentit të djeshëm, ku është përplasur me kryetarin, Shpejtim BUlliqi, duke e akuzuar këtë të fundit se po përdor mekanizmat e shtetit për të arrestuar ata që mendojnë ndryshe, raporton Gazeta Online Reporteri.net.
Në një postim në rrjetin social Facebook, Rrahmani ka thënë se Bulliqi po tenton ta kontrabandojë vullnetin e qytetarëve të Podujevës duke marrë peng Kuvendin dhe trupat e saj.
“Secili që më njeh e di që në secilin ambient ku veproj përballem me ata që duan të mashtrojnë e manipulojnë, e lëremë kur një i zgjedhur për kryetar komune tenton ta kontrabandojë vullnetin e qytetarëve të Podujevës duke marrë peng kuvendin dhe trupat e saj. Është e papranueshme, e rrezikshme dhe neveritëse mënyra se si Bulliqi tenton të mbajë peng punën e kuvendit duke përdorur mekanizmat e shtetit për të arrestuar njerëz vetëm pse ia thonë në sy të vërtetën që mendojnë e shprehen ndryshe, e sidomos ata që për këtë punë kanë marrë mandat nga qytetari”, shkroi ai.
Rrahmani ka akuzuar kryetarin e Podujevës për pazare të ulëta dhe tradhti.
“Unë Ekrem Rrahmani, deklarohem se ASNJËHERË, ASKUSH nuk mund të më ndal për të përfaqësuar drejt, me dinjitet e ndershmëri votuesin tim. Unë asnjë ditë të mandatit tim nuk do të hesht përballë një kryetari skandaloz që me pazare të ulëta e me tradhëti ka ardhë në atë pozitë dhe me format e njëjta po e ushtron atë detyrë sot e kësaj dite”, shkroi asamblisti i LDK-së.