As Saliba dhe as Konate, Real Madrid gjen qendërmbrojtësin “ideal” te “rivalët” në La Liga

Pavarësisht 4 transferimeve të bujshme që ka bërë tani, përfshi edhe qendërmbrojtësin Dean Hujisen, Real Madrid nuk e ka mbyllur ende merkaton dhe planifikon të bëjë dhe të paktën dy goditje të tjera: një mesfushor dhe qendërmbrojtës.

Dëshira e madhe e drejtuesve të Real Madridit për qendrën e mbrojtjes janë dy francezët e Premier League: William Saliba dhe Ibrahima Konate. Mbrojtësi i Arsenalit kushton 80 milionë euro dhe momentalisht duket një transferim i pamundur drejt Madridit. Në anën tjetër, Konate mund të vijë verën e ardhshme si lojtar i lirë, pasi aktualisht Liverpool kërkon 50 milionë euro për ta lënë të lirë. Shifër që Real Madrid nuk ka ndërmend ta paguajë, duke ditur që mund ta marrë si lojtar të lirë pas një viti.

Në këtë situatë, drejtuesit e Real Madridit kanë gjetur zgjidhjen brenda La Ligës duke nisur kontaktet me Sevilla-n për transferimin e Loic Bade. Francezi 25-vjeçar ka bërë paraqitje fantastike me Sevilla-n dhe duket se është gati për hapin e madh në karrierë. Në krahasim me dy francezët e Premier League, kosto e Bade është vetëm 25 milionë euro.

The post As Saliba dhe as Konate, Real Madrid gjen qendërmbrojtësin “ideal” te “rivalët” në La Liga appeared first on Telesport.