Artikulli kundër UÇK-së, presidentja mbron Bashën: S’kam mundësi të merrem me punimet e studentëve

Presidentja Vjosa Osmani komentoi sot për herë të parë reagimet për punimin e Dimal Bashës për UÇK-në gjatë kohës së studimeve të tij.

Ajo, tha sot në një konferencë për media se nuk ka pasur mundësi ta lexojë punimin.

“Nuk e kam lexuar ende. I kam dëgjuar shqetsimet dhe përgjigja që ai ka dhënë është përgjigja që duhet ta merrni. Si presidente nuk kamë mundësi që të merrem me shkrimet e politikanëve që kanë bërë gjatë studimeve”, tha Osmani.

Por, Osmani tha se Basha ia ka konfirmuar asaj në takimet sy-më-sy respektin e madh të tij për UÇK-në.

“Si kryetar i Kuvendit Basha ka konfirmuar respektin e fortë dhe të madh për sakrificën e popullit, UÇK-së dhe ne do të bashkëpunojmë për mbrojtjen e kësaj dhe nga pretendimet për ta rishkruar historinë”, tha presidentja.

Dimal Basha e ka distancuar sërish veten nga artikulli që flet për ish-Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).

Në punimin ku ai është bashkautor, thuhet se “sipas rasteve të hetuara, fondet për UÇK-në erdhën nga shqiptarë të zakonshëm në diasporë, por edhe nga trafikantët e drogës që operonin në gjithë Evropën Perëndimore dhe në Shtetet e Bashkuara”.

Basha tha javën e kaluar se “distancohem nga të gjithë ata që kanë shkruar kundër kësaj vlere”.