Trajneri i Arsenal, Mikel Arteta, foli sot për mediat në prag të ndeshjes së parë gjysmëfinale të Champions League që “topçinjtë” do të luajnë në Spanjë ndaj Atletico Madrid. Ai bëri një vlerësim të lojtarëve të lënduar: “Havertz nuk do të luajë, por Eze dhe Saka do të luajnë. Timber, nga ana tjetër, është ende i padisponueshëm“.
Arteta më pas theksoi rëndësinë e situatës aktuale të ekipit: “Fitorja kundër Newcastle na jep besim. Është një mundësi e shkëlqyer të jemi këtu, në një gjysmëfinale të dytë radhazi, është e rëndësishme për klubin. Ne duam të jemi dominues, të kemi posedim dhe të tregojmë ambicie më të madhe.”
“Simeone është një trajner që e ka transformuar këtë klub. Ai ka pasion dhe qëndrueshmëri të jashtëzakonshme. E admiroj shumë. Do të jetë një ndeshje e vështirë, do të përballemi me një trajner me përvojë të madhe në këtë garë. Ata e kanë merituar këtë vend dhe e meritojnë”, tha Arteta.
Më tej, ai komentoi: “Edhe ne kemi treguar se mund të garojmë në këtë nivel dhe jemi të bindur se mund të fitojmë. Kemi shtatë ndeshje të mbetura për të arritur diçka të madhe. E ndiej këtë energji në klub. Kemi punuar mirë me pasion dhe cilësi, tani duhet të tregojmë se sa shumë duam të arrijmë qëllimin tonë.”
“Çdo ndeshje dhe çdo kundërshtar është i ndryshëm. Do të duhet të jemi të mirë në menaxhimin e momenteve të ndeshjes. Ka gjëra pozitive nga të cilat mund të mësojmë nga fitoja 4-0 që patëm në fazën e grupeve ndaj tyre, por kjo do të jetë një ndeshje krejtësisht e ndryshme“, u shpreh Arteta.
The post Arteta: Kemi edhe 7 ndeshje për të treguar se mund të bëjmë gjëra të mëdha, duke nisur nga sot me Atletico appeared first on Telesport.









