Arsyetimi i Muratit: VV s’ka faj për mosmiratim të buxhetit 2026

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, bashkë me një prej vartësve të tij, Hekuran Muratin e ministrisë së Financave, prenë shiritin e ujësjellësit që do të furnizojë 15 mijë banorë të disa fshatareve të Fushë-Kosovës.

Kurti heshti kur u pyet nga gazetarët për krijimin e institucioneve të reja në vend.

Se kur Kosova do të bëhet me Kuvend e qeveri këtë me siguri nuk e di as e para e shtetit.

Saktë s’e di as vartësi i Kurtit në dikasterin e financave që vazhdon ta kryejë detyrën edhe të ministrit e edhe atë të deputetit.

Veçse fajtorin për këtë situatë, ky dhe partia e tij e kanë gjetur tash e një kohë të gjatë.

Murati anash s’e la as ripërsëritjen e një thirrjeje për subjektet tjera politike që t’i lënë inatet politike dhe ta mbështesin formimin e institucioneve, dhe kështu edhe ta miratojnë buxhetin e vitit të ardhshëm.

Kjo, derisa ua bëri me dije qytetarëve se Kosova ka buxhet veç deri në ditën e fundit të dhjetorit të këtij viti.