Arsyeja pse Gërvalla e Peci nuk GUXOjnë të garojnë vetëm, pësojnë debakël nëpër komuna ku kandiduan për asamble

Partia GUXO, e shtrirë në gjirin e Vetëvendosjes, për herën e parë vendosi t’i hyjë garës në këto zgjedhje lokale si vetme.

Megjithatë, rezultatet treguan pse kjo parti nuk pranon të garojë si e vetme edhe në zgjedhjet qendrore.

Me shumë gjasë, nuk do ta kalonte fare pragun.

Në zgjedhjet lokale që u mbajtën të dielën, partia e Donika Gërvallës e Faton Pecit, ka garuar nëpër disa komuna me listë për Kuvende Komunale. Por, rezultatet janë të tmerrshme.

Rezultatin më të mirë partia GUXO e ka pasur në Mitrovicë, atje edhe ku e ka pasur kandidatin për kryetar bashkë me VV-në, pra Faton Pecin.

Në Mitrovicë bartësja e listës nga GUXO, Afërdita Hajrizi ka marrë rreth 3 mijë e 800 vota apo 12.89%. Kjo, sasia më e madhe e votave për të gjitha komunat ku Gërvalla e Peci guxuan të garojnë.

Përqindje pak më të mirë kanë marrë edhe në Podujevë. Atje kandidati Demokrat Hodolli si bartës i listës mori mbi 1 mijë e 300 vota, apo 3.78%.

Në komunat e tjera, rezulatet janë si mos më keq. Madje edhe në Prishtinë e Prizren ku Peci e Gërvalla i ‘dogjën’ emrat si Jeta Statovci e Haxhi Avdyli.

Në Prishtinë, Statovci nuk i ka marrë as 2 mijë vota. Saktësisht 1 mijë e 913, apo 2.05%, duke pësuar fiasko.

Kurse, shumë i zëshmi Haxhi Avdyli, nuk i mori as 1 mijë e 500 vota në Prizren. Saktësisht 1 mijë e 147 apo 2.58%.

Në Gjilan, bartësi i listës nga GUXO, Naser Arifi, ka marrë 892 vota apo 2.71%, çka duket sajshmërisht pak për një parti që ka pasur ministra e figura të njohura në qeveri.

Në Malishevë, bartësi i listës nga GUXO, Valon Krasniqi, nuk shkoi mbi 290 vota, apo 1.51%, përderisa në Suharekë Islam Morina mori 289 vota, apo 1.19%.

Në Lipjan, GUXO mori veç 292 vota apo 1.0%, përderisa në Deçna nuk shkuan as në numër treshifrorë. Rabije Haklaj e kësaj partie mori 95 vota, apo 0.69%.

Deri më tash, Gërvalla e Peci nuk guxuan. E tash kur e morën guximin, dështuan keq në përkrahje popullore me siglën e partisë.