Arsimi në “vdekje klinike”, fasada që vret dinjitetin e profesionistit

Shkruan: Burim Gjaka

Dita Ndërkombëtare e Arsimit, që u shënua dje, zakonisht i gjen institucionet tona me refrene festimesh dhe premtime të ricikluara për “reforma”. Megjithatë, përtej ceremonive dhe fotografive protokollare, realiteti i punëtorëve të arsimit sot është një pasqyrë e thyer e dinjitetit të nëpërkëmbur. Shkolla nuk po lëngon vetëm nga mungesa e investimeve, por nga një sulm i hapur sistematik ndaj profesionalizmit, përmes fasadave mediatike, festive që sjellë në kolaps dinjitetin. Sot, arsimi në vendin tonë është shndërruar në një fushë eksperimentesh ku MASHTI prodhon letra pa analizë, ku politika e DKA-ve dikton autoritetin dhe ku profesioni i mësimdhënësit po kthehet në një barrë të padëshiruar. Jemi në pikën ku autoriteti i dijes po mbytet nga servilizmi administrativ, duke krijuar një zinxhir dështimi që fillon nga zyrat e ministrisë e përfundon në çantat 10-kilogramëshe të nxënësve, të cilët rriten në një sistem pa orientim dhe pa shpresë.

MASHTI: Fabrika e akteve juridike pa analizë dhe vizion

Në krye të piramidës së përgjegjësisë qëndron Ministria e Arsimit (MASHTI), e cila është shndërruar në një “fabrikë” që prodhon Udhëzime Administrative dhe akte tjera në seri, pa asnjë analizë të mirëfilltë të fizibilitetit apo impaktit në terren, duke e bërë legjislacionin “steril” dhe të pazbatueshëm. MASHTI nxjerr akte juridike që harton në zyra të mbyllura, larg realitetit të klasës. Këto akte shpesh të përkthyera apo të kopjuara pa përshtatje, jo vetëm që nuk i ndihmojnë shkollat, por u bëhen barrë. Janë akte që më shumë shërbejnë si mbulesë burokratike për dështimet e dikasterit sesa si udhërrëfyes për cilësi. Në shumë raste, këto akte as nuk respektohen nga vetë institucionet që i nxjerrin, duke krijuar një anarki juridike ku mësimdhënësi nuk di se cilës rregullore t’i referohet më parë.

​Derisa bota synon thjeshtëzimin, MASHTI e ka ngarkuar mësimdhënësin me një administratë të tepërt dhe të pakuptimtë. Plotësimi i administratës, planeve të panumërta dhe raporteve që nuk ndikojnë fare në cilësi, ka vjedhur kohën e çmueshme të përgatitjes pedagogjike. Kjo qasje e ka shndërruar mësimdhënësin në një zyrtar arkive, ku suksesi matet me “rregullsinë e letrave” dhe jo me progresin e nxënësit dhe kjo byrokraci po e mbyt mësimin. Është paradoksale që Ministria nxjerr udhëzime për obligimet e stafit, por hesht plotësisht kur bëhet fjalë për të drejtat e tyre. Mungesa e një Kontrate Kolektive të mirëfilltë dhe dështimi për të mbrojtur punëtorët në realizimin e të drejtave të tyre tregon për një braktisje totale të punëtorit të arsimit nga punëdhënësi kryesor.

DKA-të dhe autoriteti i tjetërsuar i drejtorit të shkollës, pozita e mësimdhënësve, një fushë ku servilizmi mposht diturinë

Nëse MASHTI është arkitekti i kaosit administrativ, Drejtoritë Komunale të Arsimit (DKA) janë zbatuesit e një sistemi që bazohet në dëgjueshmëri e jo në meritokraci. Këtu, politika ka hyrë aq thellë në oborret e shkollave, saqë ka përmbysur plotësisht hierarkinë profesionale dhe njerëzore.
​Drejtorët e shkollave janë shndërruar në drejtorë si “hije”, ku procesi i zgjedhjes së tyre është kthyer në një farsë rekrutimi partiak, por dëmi më i madh vjen pas emërimit. Duke qenë se drejtori nuk ka asnjë kompetencë në përzgjedhjen e stafit të tij , qofshin ata mësimdhënës apo personel mbështetës, ai mbetet një komandant pa ushtri. Stafi nuk i jep llogari drejtorit, por partisë apo klanit që i ka mundësuar punësimin dhe kjo krijon një paradoks të pushtetit “nga poshtë-lart”: Një simptomë degjeneruese e sistemit është fakti se njerëzit që pranohen në punë pa pasur as dije e as miratimin e drejtorit të shkollës, kanë fuqi reale më shumë sesa vetë titullari i institucionit. Si rast ekstrem i kësaj anomalie, shpesh shohim se edhe një punëtor teknik apo zyrtar administrativ, nëse ka “shpinën” e fortë në DKA apo parti, ka guximin të sfidojë hapur urdhërat e drejtorit. Kjo krijon një ambient ku drejtori është i cunguar të kërkojë disiplinë apo përgjegjësi, duke u mjaftuar me rolin e një vëzhguesi pasiv.

Sistemi aktual i ndëshkon profesionistët. Kufizimi i mandateve në vetëm dy brenda një shkolle ( I cili edhe ashtu si vendim është duke u keqzbatuar ngase asnjë akt juridik nuk interferon ne të kaluarën, por fillon nga aty kur hyn në fuqi, duke i prekur vetëm ata drejtorë të cilët do të zgjedhen nga momenti kur akti juridik-rregullorja hyn në fuqi), pa u ofruar asnjë mundësi për rritje profesionale apo gradim në karrierë, i dekurajon njerëzit me integritet. Drejtorët lihen në harresë, pa asnjë trajnim për udhëheqje të avancuar, duke e parë veten në një “rrugë qorre” ku e vetmja mënyrë për të mbijetuar është heshtja dhe servilizmi ndaj strukturave që kontrollojnë fatin e tyre dhe në këtë mënyrë ndodhë vrasja e prespektivës në arsim.

Mësimdhënja sot është shndërruar në një profesioni që po braktiset nga dëshpërimi.Thirrja për t’u bërë mësimdhënës nuk tingëllon më si një mision fisnik, por si një dënim profesional. Politikat e gabuara të MASHTI-t dhe neglizhenca financiare e kanë shndërruar arsimin në një sektor që profesionistët e rinj po e evitojnë me çdo kusht. Jemi dëshmitarë të një situate të paprecedentë ku konkurset për mësimdhënës në shumë fusha specifike po përsëriten me muaj të tërë sepse nuk ka më kandidatë të interesuar. Kur arsimi shndërrohet në një profesion ku askush nuk dëshiron të hyjë, dështimi nuk është më i mundshëm, ai është i kryer. Kjo zbrazje e katedrave është produkt direkt i një ambienti ku puna nuk vlerësohet, por vetëm kërkohet llogari administrative.

Ndërkohë që kostoja e jetesës fluturon, mësimdhënësi përballet me një shtet që i “vjedh” edhe ato pak të drejta që i takojnë me ligj. Mospagesa e shtesës prej 0.5% për vitet e përvojës edhe pas vendimit të gjykatës është shkelja më flagrante që u bëhet punëtorëve të arsimit. Kur kësaj i shtohet mungesa e një Kontrate Kolektive të mirëfilltë dhe bllokimi i parave nga përmbaruesit për shkak të borxheve të komunave, siguria ekonomike e mësimdhënësit mbetet në mëshirë të fatit, me ç`rast ndodh vrasja e dinjitetit financiar.
​ Mësimdhënësi i sotëm shpenzon më shumë kohë duke u marrë me administratë sterile sesa me nxënësin. Ai është shndërruar në një skllav të raporteve, planeve dhe ditarëve digjitalë që shërbejnë vetëm për të kënaqur egon burokratike të MASHTI-t. Kjo administratë e tepërt jo vetëm që nuk rrit cilësinë, por vret kreativitetin dhe energjinë që duhej të shkonte te nxënësi. ​Në fund të këtij zinxhiri dështimesh qëndron nxënësi, i cili në vend që të jetë qendra e reformave, është shndërruar në viktimën kryesore të një sistemi që kërkon numra, por jo dije.

Një nga dështimet më të mëdha të MASHTI-t është nxjerrja e akteve juridike që, në emër të të drejtave të nxënësve, kanë zhveshur shkollën nga çdo mjet i autoritetit dhe disiplinës. Sot, mësimdhënësi dhe drejtori e kanë pothuajse të pamundur të mbajnë një rend minimal në shkollë, ( nivelt 0, 1 dhe 2) pasi çdo masë edukative korrektuese ndërprehet nga procedura burokratike që favorizojnë papërgjegjshmërinë. Kur shkolla nuk ka asgjë në dorë për të sanksionuar sjelljen devijante, procesi mësimor degradon në një orvatje të thjeshtë për të mbijetuar deri në fund të orës.

Bashkëpunimi shkollë-familje ka pësuar një krisje profesionale. Një pjesë e madhe e prindërve sot nuk janë pjesë aktive e jetës shkollore për të marrë përgjegjësi apo për të ndërtuar mjedis më të mirë. Ata janë shndërruar në “konsumatorë” të zhurmshëm që vetëm kërkojnë llogari dhe nota, por shpërfillin rolin e tyre në edukimin dhe disiplinën e fëmijës, duke e lënë shkollën të vetmuar përballë sfidave të rënda sociale. Pra prindërit nga partnerë janë kthyer në kritikë pasiv.

​ Është paradoksale që në epokën digjitale, nxënësit tanë vazhdojnë të mbajnë mbi supe çanta që peshojnë deri në 10-12 kg. Ky nuk është vetëm një problem fizik, por simbol i një kurrikule të mbingarkuar me lëndë e informacione sterile, të nxjerra pa asnjë analizë të tregut të punës. Nxënësit mbyten me teori të vjetruara, ndërsa u mungon plotësisht orientimi në karrierë dhe këshillimi profesional, duke dalë nga bankat e shkollës me diploma, por pa asnjë ide se ku i pret e ardhmja. Derisa flitet për standarde evropiane, realiteti brenda shkollave mbetet mesjetar. Në mungesë të mjeteve bazë për mirëmbajtje, shumë shkolla dështojnë të ofrojnë edhe kushtet elementare të higjienës. Pa mjete pastrimi dhe në mjedise të vjetruara, nxënësi dhe mësimdhënësi detyrohen të funksionojnë në kushte që cenojnë dinjitetin njerëzor.

“ Kirurgjia e nevojshme për një sistem në vdekje klinike”

Nëse vërtet dëshirojmë që 23 janari i ardhshëm të mos na gjejë në këtë gjendje, MASHTI dhe Qeveria duhet të ndërmarrin hapa emergjentë:

Depolitizimi i menjëhershëm i arsimit: Rekrutimi i drejtorëve dhe stafit duhet të bëhet përmes komisioneve të pavarura profesionale, duke i dhënë fund epokës së “lidhjeve të shkurtra” politike dhe servilizmit.

Kthimi i autoritetit të drejtorit: Drejtori duhet të ketë autonomi financiare dhe kompetenca reale në përzgjedhjen dhe menaxhimin e stafit, duke u vlerësuar mbi bazën e performancës dhe jo të dëgjueshmërisë.

Dinjitet financiar dhe mbrojtje ligjore: Nënshkrimi i Kontratës Kolektive dhe zbatimi i menjëhershëm i pagesës prej 0.5% për përvojë pune, për të ndalur ikjen e kuadrove nga ky profesion.

Ndryshimi i formulës buxhetore për shkolla- Jo më 27€ në vit për kokë nxënësi sepse qmimet janë 10 fishuar nga koha kur fuksionon kjo formulë. Poashtu është zvogëluar shumfish numri I nxënësve në zonat jourbane e kjo formulë nuk mjafton as për ngrohje.

Rishikimi i legjislacionit mbi disiplinën: Kthimi i mekanizmave edukativë-korrektues në shkolla, që mësimdhënësi të mos jetë i pafuqishëm përballë anarkisë në klasë.

Thjeshtimi i kurrikulës dhe administratës: Lirimi i mësimdhënësit nga burokracia e kotë dhe nxënësit nga çanta 10-kilogramëshe, duke u fokusuar në cilësi e jo në raporte sterile.

Përfundim: Alarmi i fundit para heshtjes totale

​Arsimi nuk rregullohet me statuset e bukura të pushtetarëve në rrjete sociale, por me vendime që mbrojnë ata që janë në frontin e parë të dijes. Një sistem që ndëshkon meritokracinë, që lejon “teknikët” e politikës të mbizotërojnë mbi drejtorët dhe që injoron kërkesat bazike financiare të mësimdhënësve, është një sistem që po prodhon injorancë me vetëdije. Sot, arsimi ynë nuk ka nevojë për festë, por për reflektim të thellë dhe veprim të menjëhershëm. Në të kundërten konkurset do të mbeten bosh, shkollat do të kthehen në godina pa shpirt dhe e ardhmja e këtij vendi do të mbetet peng i një burokracie që nuk njeh as dije e as dinjitet.